Presidentja Osmani takon Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Uzra Zeya
San Jose, 8 maj - Sot, në kuadër të vizitës në Kosta Rikë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu u takua me znj. Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit Joe Biden.
Me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani, ka biseduar për progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
Në diskutim me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani ka folur për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat.
Presidentja ka theksuar se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët tanë në mbrojtjen e vlerave demokratike.
“Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, ka thënë Presidentja Osmani.
Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani po qëndron në Republikën e Kosta Rikës, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.
Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera.