14 Janar 2025

Presidentja Jahjaga u shpall Qytetare nderi e qytetit të Panamasë

Panama City, 2 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Panama, me ftesë të Presidentit Ricardo Martinelli, u shpall Qytetare nderi e qytetit të Panamasë dhe iu dorëzua çelësi i këtij qyteti.

Titulli Qytetare nderi iu dha Presidentes Jahjaga, në një ceremoni të organizuar nga kryetarja e qytetit të Panamasë, zonja Roxana Méndes de Obarrio, në vendimin e së cilës thuhet se "çelësi i qytetit dhe titulli i qytetarit të nderit i jepet Presidentes Jahjaga për përfaqësimin dhe prezantimin e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe kontributin në procesin e konsolidimit ndërkombëtar dhe njohjeve për vendin".

Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Vietnamit z. Nguyen An Duy, ambasadori i Italisë z. Giancarlo Maria Curcio, ambasadori i Panamasë në Holandë, jorezident për Kosovën, z. Jose Manuel Teran Sitton, dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Panama, zonja Zana Rudi.

Pas ceremonisë së ndarjes së titullit Qytetare nderi dhe dorëzimit të çelësit të qytetit të Panamasë, Presidentja Jahjaga në fjalën e saj tha se "dua t'ju siguroj që ky nder që ma bëtë sot mua, mbart më vete një vlerë të madhe për të dy popujt tanë, dhe dëshmon se vendet tona, pavarësisht se mund të jenë në dy anë të ndryshme të botës, po ndërtojnë miqësi të bazuar mbi mirëkuptimin e përbashkët."

Jahjaga ka theksuar se Republika e Kosovës, që ka shpallur pavarësinë e saj 6 vjet më parë, është një rrëfim i suksesshëm i qytetarëve dhe institucioneve të tij dhe i bashkësisë ndërkombëtare, një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë.

"Ne jemi një shtet i vogël në Evropën Juglindore, i përkushtuar për të krijuar marrëdhënie miqësore me shtetet kudo në botë, dhe miqësia jonë me Panamanë, që ishte ndër vendet e para të Amerikës Qendrore që njohu vendin tim, simbolizon njohjen e vlerave të përbashkëta të shoqërive tona dhe garancinë për një botë më të mirë e gjithëpërfshirëse."

"Dy vendet tona po tregojnë se sa e mundshme është për të ndërtuar miqësinë dhe sa e qëndrueshme mund të jetë ajo kur bazohet në respektin e ndërsjellët dhe në mirëkuptim", ka theksuar ajo.

Prandaj Kosova dhe Panamaja sipas saj kanë çka t’i ofrojnë njëra tjetrës. Shkëmbimin e vlerave të shoqërive të të dyja vendeve dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat që janë interes i përbashkët i yni.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)