11 Janar 2025

Presidentja Jahjaga u kthye nga vizita disaditore në New York

Prishtinë, 27 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u kthye në Kosovë nga vizita disaditore në New York.

Gjatë javës së punimeve të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidentja Jahjaga mori pjesë në pritjen tradicionale të Presidentit të SHBA-së Barack Obama, ku pjesëmarrës ishin edhe presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë vendeve të botës.

Presidentja Jahjaga gjatë qëndrimit të New York takoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe zhvilloi bisedime bilaterale edhe me presidentët e Austrisë, Bullgarisë dhe të Estonisë si dhe u takua me udhëheqës të tjerë botërorë në disa pritje të  organizuara gjatë kësaj jave të Asamblesë së Përgjithshme.

Ajo mori pjesë edhe në konferencën e organizuar nga Presidenti Bill Clinton “Clinton Global Initiative”, ku personalitete të ndryshme të botës diskutojnë çështje globale.

Gjithashtu Presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në nismën e organizuar nga sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, “Equal Futures Partnership”, një nismë e SHBA-së dhe 12 partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për fuqizimin politik e ekonomik të gruas.

Pressdentja Atifete Jahjaga mbajti një fjalë në Kolegjin Barnard të Universitetit Columbia, në temën përfshirja e gruas në shërbimet publike dhe ishte në një panel të përbashkët me kryeministren e Tailandë, Yingluck Shinawatra, kongresisten, Jane Harman, të dërguarën e posaçme të sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton për komunitetin mysliman, Farah Pandith dhe përfaqësuesen  e posaçme të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kundër dhunës ndaj fëmijëve, Marta Santos Pais. 

Në fillim të vizitës së saj në New York, Presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në shënimin e 16 vjetorit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) dhe mbajti një fjalë rasti.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)