08 Janar 2025

Presidentja Jahjaga takoi Ministrat e Jashtme të Turqisë dhe Egjiptit

Mynhen, 5 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në Mynhen të Gjermanisë, ku po merë pjesë në Konferencën e 48 të Sigurisë, u takua me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohammed Amr.

Presidentja Jahjaga dhe Ministri Davutoglu, diskutuan për raportet në mes të dy vendeve, zhvillimet më të fundit në Kosovë, për procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, procesin e dialogut teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, njohjet e reja të Republikës së Kosovës si dhe për bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar në mes të dy vendeve.

Gjatë takimit, Presidentja Jahjaga e vlerësoi lartë mbështetjen e Turqisë dhënë Republikës së Kosovës dhe kërkoi nga ministri Davutoglu vazhdimin e mëtejshëm të kësaj përkrahjeje për të siguruar njohje të reja për Kosovën me theks të veçantë te disa vende të Lindjes së Mesme.

Ministri Davutoglu ritheksoi përkushtimin e shtetit Turk për të shtuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar me Republikën e Kosovës dhe për të ndihmuar në rritjen e numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës. 
 

Presidentja Jahjaga po ashtu u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Mohammed Amr.

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit Mohammed Amr,  Presidentja Jahjaga e informoi bashkëbiseduesin për progresin që e ka arritur Republika e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj.

Ajo theksoi se shteti i Kosovës është tashmë një realitet ndërkombëtar i pranuar nga 86 vende të botës dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një rast sui generis në botë dhe ai nuk mund të merret si pretekst për lëvizjet secesioniste në botë.

Ajo më tej theksoi se pavarësia e Kosovës buron nga vullneti i popullit të Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka qartësuar se ajo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Presidentja Jahjaga në takim me Ministin Amr shtroi edhe kërkesën që shteti i Egjiptit ta njoh Republikën e Kosovës dhe kërkoi përkrahjen e këtij shteti për anëtarësim të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministri Amr nga ana e tij e vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe theksoi që shteti i Egjiptit po ndjekë me interes zhvillimet në Kosovë dhe është i interesuar që të vendos marrëdhënie të afërta bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

Ai rikujtoi që Egjipti edhe pse nuk e ka njohur formalisht Republikën e Kosovës, e ka përkrahur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)