Presidentja Jahjaga në hapjen e samitit "Gratë në Botë"
Prishtinë, 4 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në hapjen zyrtare të punimeve të Samitit të Gruas "Gratë në Botë" që po mbahet në New York të SHBA-së.
Në Samit po marrin pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të organizatave të grave në botë dhe personalitete të ndryshme botërore, në mesin e të cilëve edhe ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ish-sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, David Milliband, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe drejtoresha ekzekutive e Institutit për Gruan, Paqen dhe Sigurinë Universitetin Georgetown, ambasadorja Melanne Verveer, si dhe përfaqësues të jetës publike e kulturore në mesin e të cilëve edhe aktorja Meryl Streep dhe publicisti Thomas Friedman.
Presidentja Jahjaga gjatë punimeve të Samitit ka takuar për rreth 30 minuta ish-sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, pastaj edhe ish-sekretarin e jashtëm britanik David Milliband si dhe drejtoreshën e FMN-së Christine Lagarde. Ajo ka biseduar me ambasadoren amerikane Verveer për avancimin e rolit të gruas në shoqëri.
Presidentja Jahjaga, ditën e premte, do të marrë pjesë në panelin ku do të diskutohet për "Gruan Paqebërëse" (Woman Peacemaker) së bashku me ambasadoren amerikane Melanne Verveer.