11 Janar 2025

Presidentja Jahjaga filloi vizitën shtetërore në Maltë

Valletta, 27 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, sot filloi vizitën shtetërore dy ditore në Maltë.

Në delegacion me Presidenten Jahjaga, janë edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hikmete Bajrami, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, zotëri Safet Gerxhaliu dhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, zotëri Arian Zherka.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u prit nga presidentja e Maltës, zonja Marie Louise Coleiro Preca, në pallatin presidencial në Valletta.

Presidentja Jahjaga pati takim bilateral me presidenten Marie Louise Coleiro Preca, ku diskutuan për fusha të bashkëpunimit ne mes të dyja vendeve.

Presidentja Marie Louise Coleiro Preca, theksoi se Malta dhe Kosova mund të kenë bashkëpunim në ekonomi, bujqësi dhe shërbime. Ajo tha se pas vizitës së saj në Kosovë, dhe vizitës së Presidentes Jahjaga në Maltë janë intensifikuar marrëdhëniet në mes të të dyja vendeve.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shumë për të ofruar në fushën e bujqësisë dhe shërbimeve dhe është e kënaqur që nesër edhe zyrtarisht dy odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe e Maltës do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, i cili do të ndihmojë bizneset e të dyja vendeve për aktivitete të shtuara afariste.

Presidentja Jahjaga, kërkoi ndihmën e Maltës në proceset e integrimit Evropian, për të cilat Kosova është e përkushtuar e veçanërisht pasi që Malta do të marrë presidencën e EU-së, vitin e ardhshëm.

Presidentja Marie Louise Coleiro Preca, shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Presidentja Jahjaga, gjithashtu pati takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, zotëri George Vella

Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohje për ndihmën e politikës së jashtme të Maltës, në iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e mëtutjeshme të Maltës, në procesin e njohjeve.

Ministri i Punëve të Jashtme, zotëri George Vella, theksoi se Kosova ka mbështetje të plotë të Maltës në politikë të jashtme.

Ai tha se Malta do ta përkrah Kosovën në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)