Presidenti Trump kërkon hetime për manipulim votash
Washington, 26 janar - Administrata e re vazhdon ti mëshojë argumentit se në zgjedhjet e nëntorit që i dhanë fitoren Donald Trumpit ka pasur një numër të madh imigrantësh pa të drejtë vote që kanë marrë pjesë në votime.
Presidenti Donald Trump po kërkon zhvillimin e një hetimi për manipulime në zgjedhje, duke ritheksuar argumentin e tij se pjesëmarrja e imigrantëve të paligjshëm në zgjedhje i shkaktoi atij humbjen e votës popullore.
Donald Trumpi fitoi 306 vota elektorale, krahasuar me 232 që mori rivalja e tij, Hillary Clinton. Por numri përfundimtar i votave tregon se zonja Clinton ka marrë 3 milionë më shumë vota popullore se sa zoti Trump. Pas inaugurimit, presidenti i ri tha se rezultatet dëshmojnë manipulim votash. Sekretari i tij për shtypin i mëshoi përsëri këtij pretendimi dje:
Zoti Trump tha në komentet e tij se 3-5 milionë vetë mund të kenë votuar në mënyrë të paligjshme, bazuar në analizat që ka parë ai. Por mbetet krejt e qartë se ai fitoi bazuar në 306 votat elektorale që mori, tha zëdhënësi Spicer.
Administrata e zotit Trump këmbënguli fillimisht se ceremonia e tij e inaugurimit kishte numrin më të madh të pjesëmarrësve, megjithëse sipas njoftimeve të shtypit dhe pamjeve nga ajo ditë, pjesëmarrja nuk krahasohej me numrin e madh të protestuesve të mbledhur të nesërmen në Marshimin e Grave në Uashington.
Republikanë të tjerë janë përpjekur ti shmangen kësaj teme. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, i përballur me këtë pyetje tha:
Kam komentuar më parë për këtë. Nuk kam parë prova që e mbështesin një gjë të tillë dhe këtë e kam bërë të qartë.
Por demokratët reaguan menjëherë duke i dërguar një mesazh presidentit të ri se do të vihet para përgjegjësisë për ato që thotë:
Nuk mund të drejtosh qeverinë, nuk mund të ndihmosh popullin, nuk mund të garantosh sigurinë e Amerikës nëse nuk pranon faktet. Nëse nuk ndodh kjo, vendi do të ketë probleme reale. Nuk do të jenë probleme të demokratëve, republikanëve, liberalëve apo konservatorëve; do të jenë probleme të dala nga shmangia e fakteve, tha Senatori demokrat Chuck Schummer.
Në komentet e tij dje, Senatori Schummer kritikoi edhe republikanët që nuk kishin ngritur zërin ndaj pretendimeve të presidentit.
Kur thuhen gënjeshtra të tilla, kolegët tanë republikanë kanë përgjegjësinë tu kundërvihen, jo ti anashkalojnë.
Senatori tha gjithashtu se tani që është bërë president, zoti Trump nuk duhet të flasë për zgjedhjet apo për numrin e njerëzve në ceremoninë e inaugurimit, por për numrin e vendeve të punës që do të krijojë. Një nga premtimet që bëri zoti Trump në fushatë ishte rigjallërimi i sektorit të prodhimit industrial dhe rinegociimi i marrëveshjeve tregtare që ai i konsideron si të dëmshme për punëtorët amerikanë.