Presidenti Topi në Serbi
Tiranë, 1 shtator - Presidenti Bamir Topi do të vizitojë gjatë ditës së sotme Serbinë, ku do të qëndrojë deri në datën tre shtator. Vizita e presidentit bëhet me rastin e një konference rajonale për trashëgiminë kulturore.
Kjo konferencë ka të bëjë me ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërkaq për herë të nëntë organizohet me shefat e shteteve të Evropës Juglindore dhe këtë vit organizohet nga presidenca serbe. Aty pritet të marrin pjesë të gjithë presidentët e rajonit, duke përjashtuar përfaqësuesit e Kosovës.
Topi viziton për herë të parë në cilësinë e presidentit Serbinë pasi një vit më parë pati refuzuar të ishte pjesë e samitit të presidentëve të Evropës Juglindore në Novi Sad, një samit që mbahet çdo vit, për shkak të situatës politike dhe mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në kohën kur serbët bojkotonin çdo takim ku ftoheshin përfaqësuesit e Prishtinës, raporton gazeta Tema.