Presidenti Thaçi dekoron edhe 50 personalitete në Shqipëri
Tiranë, 14 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i cili prej se është president ka ndarë me qindra dekorata sot në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në Tiranë i ka dekoruar rreth 50 personalitete që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se kontributi i shtetit shqiptar, i gjithë qytetarëve të Shqipërisë për lirinë e Kosovës, ka qenë shumë i madh.
“I filluam këto ditë të kremtimit të 20 vjetorit të lirisë së Kosovës së bashku me miqtë ndërkombëtarë, me mesazhet e presidentit Clinton, mesazhet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për progresin e arritur në Kosovë, për storien e suksesit të përbashkët vendor dhe ndërkombëtar, si dhe për garancën për të vazhduar tutje me progres, me zhvillim, me vlera euroatlantike dhe me Kosovën si vend të pavarur dhe sovran, si kontribuuese e jashtëzakonshme për paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor, me vizion të qartë për të qenë në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së dhe në raporte gjithmonë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Edhe nga Tirana, presidenti Thaçi shprehu sërish mirënjohje të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n dhe gjithë partnerët tjerë që kanë ndihmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Një gjë është e qartë, pa rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa rezistencën e armatosur të luftëtarëve të lirisë, të vajzave dhe djemve të Kosovës, që ndikuan të mobilizohet populli i Kosovës, të bashkohet si kurrë ndonjëherë në histori, nuk do ta kishim këtë liri dhe nuk do ta kishim as intervenimin e NATO-s. Ju e dini, ne kemi zhvilluar shpesh kryengritje, por kryengritjet tona kanë qenë lokale dhe pa ndonjë vizion të qartë politik dhe pa mbështetje të partnerëve. Kësaj radhe, UÇK-ja bashkoi popullin e Kosovës, UÇK-ja bashkoi të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni, qoftë në Preshevë, qoftë në Mal të Zi, qoftë në diasporë. Të jeni të sigurt se kur kombi shqiptar u bashkua rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës për liri, atëherë edhe ndërkombëtarët u vunë në lëvizje dhe këtu kemi dëshmitarë të këtyre angazhimeve, përfaqësuesit më të denjë të këtij angazhimi kombëtar për liri, për pavarësi të Kosovës. Prandaj, u shpreh mirënjohje secili prej juve personalisht për rolin e jashtëzakonshëm edhe diplomatik, edhe politik, edhe ushtarak, edhe të gjithë segmenteve që ndikuan që bota të na përkrahë edhe më tepër”, shtoi presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se duhet të jemi mirënjohës ndaj botës që na ndihmoi, por edhe të kemi një vlerësim për atë që ndodhi, sepse arritëm për herë të parë që ta vëmë në lëvizje NATO-n, dhe kjo nuk do të ndodhte pa kontributin dhe rolin dinjitoz të Shqipërisë.
“Prandaj, pa rolin e Shqipërisë, Kosova nuk do të ishte as e lirë, nuk do të ishte as e pavarur. Sikurse, pa mbështetjen e Shqipërisë, rrugëtimi ynë për NATO dhe Bashkim Evropian edhe tani do jetë shumë më i vështirë. Prandaj, ishim bashkë në periudhat më të rënda për kombin tonë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe jam i bindur që do të kemi rrugëtim të përbashkët edhe për NATO, edhe për Bashkim Evropian, me mbështetje të plotë të Shqipërisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fund ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për çdo familje shqiptare në Republikën e Shqipërisë.
“U shpreh mirënjohje dhe falënderim çdo familjeje shqiptare që hapi derën, hapi zemrën për shqiptarët nga Kosova, të cilët u detyruan të zhvendosen nga spastrimi etnik i Sllobodan Millosheviqit, kur kryente gjenocid në Kosovë. Dëshiroj të falënderoj secilin prej jush që e thatë të vërtetën kudo që kishit mundësitë, nga përgjegjësitë institucionale që kishit, qoftë në institucione, qoftë në media apo në diplomaci. Ishit së bashku me neve në Rambuje, ishit së bashku më ne gjatë bombardimeve të NATO-s, ishit së bashku me ne në mbështetje edhe operative për luftëtarët e lirisë së Kosovës”, ka thënë ai.
“Faleminderit, Shqipëri. Faleminderit popullit të Shqipërisë për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!”, përfundoi presidenti Thaçi.