Presidenti serb Tadiç viziton sot Kosovën
Beograd, 6 dhjetor - Krishtlindjet ortodokse rikthejnë përsëri në Kosovë presidentin serb Boris Tadiç. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e tij, Jasmina Stojanov e cila ka theksuar se presidenti Tadiç do të vizitojë sot Kosovën ku do qëndrojë për dy ditë në Pejë e Deçan.
Tadiç pritet të mbërrijë në Patrikanën e Pejës mbrëmjen e së premtes, ku edhe do të kalojë natën, ndërkaq të shtunën do të marrë pjesë në meshën e mëngjesit, në Manastirin e Deçanit.
Pas këtij riti fetar, është planifikuar edhe një deklaratë për mediat, ku sipas zëdhënëses Stojanov presidenti nuk do të flasë për çështje politike.
Edhe në vizitat e tjera presidenti serb ka premtuar të njëjtën gjë, por ai nuk ka mundur të përmbahet pa thënë se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndërkohë edhe këtë herë për sigurinë e tij do të jenë përgjegjës KFOR-i dhe EULEX-i.