11 Janar 2025

Presidenti Obama uron shqiptarët për 100 vjetorin e pavarësisë

Washington, 24 nëntor - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka uruar presidentin Nishani dhe përmes tij gjithë popullin shqiptar për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Në një mesazh urimi, Obama rikonfirmon edhe një herë mbështetjen e SHBA-së për Shqipërinë, thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe inkurajon për rrugën e integrimit. Në mesazhin e plotë të presidentit amerikan shkruhet më poshtë:

“I dashur zoti President,

Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Shqipërisë në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor. Në këtë ngjarje të rëndësishme, ne i rikonfirmojmë Shqipërisë miqësinë dhe përkushtimin tonë të fuqishëm dhe presim me kënaqësi që ta thellojmë edhe më tej marrëdhënien tonë në vitet e ardhshme.

Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike.

Vlerësojmë thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it.

Ne jemi mirënjohës gjithashtu për mbështetjen që i jep Shqipëria qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor duke ditur që përparimi i vazhdueshëm rajonal është kyç në përmbushjen e qëllimit tonë të përbashkët për një Evropë të lirë, në paqe dhe të bashkuar.

Dy vendet tona ndajnë një lidhje të ngushtë që nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo lidhje u fuqizua edhe më tepër me ndërhyrjen vendimtare të Presidentit Willson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë.

Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Clinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë.

Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaj të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, thuhet në mesazhin e urimit të Obamës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)