Presidenti Obama e ka mirëpritur fuqizimin e pavarësisë së Kosovës
Washington, 10 shtator Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama e ka mirëpritur dhe mbështetur fuqishëm vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik, ka thënë presidenti Obama.
Ai ka deklaruar se ka ende punë për tu bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për të siguruar se parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës zbatohen për çdo qytetar.
Kosova, sipas tij, gjithashtu duhet të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me fqinjët e saj dhe të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, veçanërisht ato në raport me Serbinë.
Një gjë e këtillë nënkupton fuqizimin e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit dhe tërësisë së saj territoriale dhe do të shërbejë për të promovuar stabilitetin, mbi të cilin varen prospektet euro-atlantike në rajon, ka thënë presidenti amerikan.
Në emër të popullit amerikan, uroj qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, me të cilën Kosova ndërmerr edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit që i takon, në një Evropë të lirë, të tërësishme dhe paqësore, thuhet në fund të komunikatës së presidentit amerikan, Barak Obama.