Presidenti Obama do të nisë një turne evropian
Washington, 23 janar - Presidenti amerikan Barack Obama do të takohet me Papa Françeskun në Vatikan gjatë një udhëtimi një javor në Evropë të planifikuar për në fund të marsit.
Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Obama do të diskutojë me Papa Françeskun për angazhimin e përbashkët në luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë në rritje.
Takimi është parashikuar të mbahet më 27 mars. Në Romë, Presidenti Obama ka gjithashtu në plan të takohet me Presidentin italian Giorgio Napolitani dhe kryeministrin Enrico Letta.
Udhëheqësi amerikan do ta fillojë udhëtimin e tij Evropian më 24 mars në Hagë të Hollandës, ku do të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë për sigurinë bërthamore të organizuar nga qeveria hollandeze.
Më 26 mars, zoti Obama do të shkojë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe takime me udhëheqës belgë dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, para se të shkojë në Itali.