Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e Francës për Kosovën
Paris, 23 qershor - Me nderime të larta shtetërore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris.
Para takimit të dy liderët kanë dhënë nga një deklaratë për media. Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Francës, për drejtësinë e lartë që vendosi në kuadrin e Aleancës Veriatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët.
Ai tha se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejtë. Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.
Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e Francës për shtetin e së drejtës, sigurinë dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ai ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen si evropianë për të gjetur një kompromis, pasi siç ka thënë, vetëm në këtë mënyrë, Prishtina dhe Beogradi do të kthehen drejt një të ardhmeje evropiane.
“Unë i ftoj Kosovën dhe Serbinë për tu angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejtë një të ardhmeje evropiane”, ka thënë Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para Pallatit Elysee.
Macroni ka thënë se Kosova ka një interes të veçantë për Bashkimin Evropian dhe se Kosova do të ketë mbështetjen e shtetit të Francës në të gjitha proceset që do ta çojnë përpara këtë vend.
Gjatë takimit u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane, si dhe sfidën e përbashkët në ballafaqimin me pandeminë COVID-19.