Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës
Washington, 10 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr.Vjosa Osmani, u takua me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
Në Këshillin e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, Presidentja Osmani takoi zëvendës këshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën në këtë Këshill, dr. Amanda Sloat, si dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dr. Robin Brooks.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fuqishme Kosovë-SHBA dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm për harmonizim të mëtjemë të prioriteteve të përbashkëta strategjike për forcimin e sundimit të ligjit, sikurse edhe sigurimin e paqes e sigurisë së qëndrueshme në rajonin tonë.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu rëndësinë e kësaj aleance disa dekadëshe dhe ndikimin pozitiv që ajo ka pasur tek qytetarët e Kosovës, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimit të rëndësishëm të SHBA-ve dhe përkushtimit ndaj demokracisë.
Zyrtarët e Këshillit të Sigurisë theksuan se presidenti i SHBA-ve është personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e Presidentit Biden.
Ata shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për Republikën e Kosovës që ka pritur afganët dhe për faktin që është vendi i parë në botë që e ka bërë këtë.
Presidentja Osmani u takua dhe me Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin kryesor, Dereck Hogan.
Në takim, të dyja palët vlerësuan lartë raportet Kosovë-SHBA si dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve. Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një prej sukseseve kryesore të politikës së jashtme të SHBA-ve.
Duke qenë gjithnjë të udhëhequr nga vlerat dhe parimet e promovuara nga SHBA-të, ajo konfirmoi se institucionet në vend janë të përkushtuara për promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë si dhe zhvillimin ekonomik, i cili do të krijojë perspektivë për qytetarët e Kosovës.
Mëtej, Presidentja Osmani vuri theks edhe në zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës.
Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Për më tepër, Presidentja theksoi përkushtimin e plotë të Kosovës për angazhim aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, i cili siç është thënë edhe nga Presidenti Biden, duhet të jetë i përqëndruar në njohjen e ndërsjellë.
Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës.
Ajo mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të përbashkëta.
Në vazhdën e takimeve të ditës së sotme, Presidentja Osmani do të takohet edhe me nënsekretaren e shtetit, znj.Victoria Nuland si dhe me zyrtarë të tjerë të Departmentit Amerikan të Shtetit.