Presidenti Biden zotohet se SHBA do të mbetet partneri i palëkundur i Kosovës
Washington, 30 korrik - Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndau medalje për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës.
Përmes një video-mesazhi, një pjesë e të cilit u shpërnda nga zyra e presidentes së Kosovës, presidenti Joe Biden, u shpreh mirënjohës për ndarjen e medaljes për të birin.
"Beau punoi në Kosovë me zemër dhe ra në dashuri me atë vend", tha presidenti Biden duke kujtuar ceremoninë e 17 gushtit të vitit 2016, kur bashkë me familjen vizitoi Kosovën dhe mori pjesë në ceremoninë gatë së cilës një rruge që çon në Bondsteel, kampin e disa qindra trupave amerikane që vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, ju vu emri i të birit.
Ai tha se Beau doli vullnetar pas luftës për të punar në Kosovë.
"Atëbotë Kosova kishte ende plagë të luftës dhe drejtësi të mbytur për shkak të sundimit totalitar. Mirëpo, Beau e ka parë se çfarë mund të bëni ju. Beau e ka parë edhe atëherë të ardhmen që ka qenë e mundur për shtetin tuaj krenar, të ardhmen e mohuar për një kohë të gjatë për Kosovën", tha ai.
Presidenti Biden, tha se duke e pranuar medaljen, njeh edhe përparimin e arritur në 20 vitet e fundit në Kosovë, por, tha ai, ende ka punë për të bërë për të luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me vendet fqinje dhe për zhvillimin ekonomik.
"Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës në këtë punë në mënyrë që të dëshmojmë se bashku se demokracitë mund t'u përgjigjen nevojave të qytetarëve", tha ai.
Presidenti Biden përmendi mbështetjen e Kosovës me vaksina kundër COVID-19 të cilët pritet të arrijnë brenda javësh përmes programit COVAX, ndërsa nënvizoi përkushtimin për thellimin e miqësisë dhe partneritetit ndërmjet të dyja vendeve.