Presidenti Biden e quan Vladimir Putinin kriminel lufte
"Ai është një kriminel lufte", tha presidenti amerikan për zotin Putin teksa largohej një aktivitet në axhendën e tij për sot. Kjo është deklarata më e ashpër lidhur me veprimet e Presidentit Putin dhe Rusisë bërë nga një zyrtar amerikan, që nga nisja e sulmit ndaj Ukrainës.
Ndërsa udhëheqësit e tjerë botërorë e kanë përdorur këtë fjalë, Shtëpia e Bardhë kishte hezituar t'i shpallë veprimet e zotit Putin ato të një krimineli lufte, duke thënë se ishte një term ligjor që kërkonte më shumë hetim.
Por gjatë një fjalimi të mërkurën Presidenti Biden tha se trupat ruse kishin bombarduar spitale e kishin marrë peng mjekët. Ai premtoi më shumë ndihmë për Ukrainën për të mbështetur përpjekjet e saj kundër Rusisë.
Presidenti Joe Biden njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë armatime të reja Ukraninës mes tyre kundër-ajrorë, anti-tanke e dronë si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të ndihmuar këtë vend për t’u mbrojtur nga Rusia.
Komentet e presidentit erdhën pasi ai njoftoi zyrtarisht se administrata e tij po dërgonte 800 milionë dollarë shtesë në armatime në Ukrainë, duke e çuar në 2 miliardë dollarë totalin e ndihmës dërguar Kievit që kur zoti Biden mori detyrën më shumë se një vit më parë. Rreth 1 miliard dollarë ndihmë janë dërguar vetëm javën e fundit.
“Ne do t'i japim Ukrainës armët për të luftuar dhe për të mbrojtur veten gjatë të gjitha ditëve të vështira që po vijnë”, tha Presidenti Biden.
Fjalimi i Presidentit Biden erdhi disa orë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti një fjalim para anëtarëve të Kongresit amerikan duke kërkuar me shumë ndihmë për vendin e tij të rrënuar nga lufta.
Presidenti Biden tha se ai e dëgjoi fjalimin domethënës, siç e quajti ai, të homologut të tij Zelenskyy, por ai nuk e trajtoi drejtpërdrejt thirrjen e presidentit ukrainas drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit se mund të bëjnë më shumë. Presidenti Biden tha se fjalimi i zotit Zelenskyy pasqyronte guximin dhe forcën që ukrainasit kanë treguar gjatë gjithë krizës.
“Ne jemi të bashkuar në neverinë tonë ndaj sulmit të furishëm e të paprincipë të Putinit dhe do të vazhdojmë t'i mbështesim ndërsa ata luftojnë për lirinë, demokracinë si dhe vetë mbijetesën e tyre”.
Zoti Biden ka thënë prej kohësh se SHBA-të nuk do të angazhohen me trupa ushtarake në terren në Ukrainë dhe i ka rezistuar lutjeve të vazhdueshme të zotit Zelenskyy për avionë luftarakë, duke e quajtur atë si diçka shumë të rrezikshme, që mund të përshkallëzohej në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.
“Konflikti i drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë do të thotë një Luftë e Tretë Botërore”, ka thënë zoti Biden.
Tashmë administrata Biden i ka dërguar Ukrainës më shumë se 600 raketa Stinger, 2600 sisteme antitank Javelin, radarë, granatahedhëse, 200 mitralozë, 40 milionë fishekë për armë të vogla, helikopterë e pajisje të tjera ushtarake.
Kongresi ka miratuar tashmë 13.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, dhe ndihma e sapo shpallur e sigurisë do të vijë nga ky buxhet, pjesë e një projektligji më të gjerë që Presidenti Biden nënshkroi në ligj të martën.