Prelec: Situata në veri të Kosovës është e rrezikshme
Washington, 21 prill - Një zyrtar i Grupit të Krizave thotë se situata në Veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se asnjë alternativë nuk duhet përjashtuar për zgjidhjen e saj.
Marko Prelec, Drejtor i Projektit të Ballkanit shton se është urgjente që Prishtina dhe Beogradi të diskutojnë për marrëdhëniet mes tyre dhe veriun dhe se përfaqësuesit e veriut duhet të përfshihen në çdo lloj diskutimi për fatin e tyre.
\"Situata është shumë e rrezikshme. Qeveria në Kosovë ndjehet se nuk është në gjendje dhe në fakt nuk është në gjendje që të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj, sidomos të qytetarëve shqiptarë, në pjesën veriore të vendit të kontrolluar nga serbët. Dhe kjo situatë po krijon një presion ndaj qeverisë që duket pothuasje i papërballueshëm, si nga popullata, media dhe opozita. Dhe ka një presion të madh për ta, pothuasje një tundim për të vepruar në një mënyrë që do ta acaronte situatën\", ka theksuar Prelec.
Të gjitha zërat për një tjetër 25 korrik sipas tij janë një shenjë e rrezikshme dhe sipas tij kjo tregon se ne nuk duhet të lejojmë që situata në veri të mbetet e pazgjidhur përgjithmonë.
Prandaj sipas tij është urgjente që qeveritë e Serbisë dhe Kosovës të flasin për marrëdhëniet e tyre, për shumë çështje, përfshirë edhe veriun sepse këto çështje janë të pandashme.
\"Mendoj se ka një vullnet nga ana e Beogradit për të folur për zbatimin e planit Ahtisaari dhe ekziston vullneti në Prishtinë për të diskutuar përtej planit Ahtisaari dhe për të ofruar disa privilegje të tjera për veriun, por të dyja këto janë të kushtëzuara nga ato që secila nga palët do që të marrë nga tjetra.\"
Konkretisht, siç ka thënë Prelec Prishtina duhet të pranojë të flasë për një status të veçantë për Veriun, asaj do ti duhet të shohë që Beogradi ka vullnetin të normalizojë marrëdhëniet dhe të ndërmarrë hapa drejt njohjes.
\"Pra ka nevojë për një dialog politik. Do të jetë fillimi i një procesi të gjatë, por duhet filluar tani.\"