Posselt: Kosova ta lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar
Berlin, 28 shkurt - Europarlamentari gjerman, Bernd Posselt ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si e vetmja mundësi që shteti më i ri evropian të shkojë përpara.
Ai thotë se Kosova ka bërë progres në disa fusha, derisa kërkon edhe më shumë punë nga kosovarët.
Posselt vlerëson se pavarësisht që Policia e Kosovës arrestoi tre pjesëtarë të Shërbimit Sekret Gjerman (BND), marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë vazhdojnë të jenë shumë të mira.
Europarlamentari Posselt, i cili njihet si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, ka folur edhe për kosovarët që jetojnë në Gjermani dhe në vende të ndryshme të BE-së.
Unë mendoj që duhet shumë shpejt liberalizuar gjërat në interesin e kosovarëve që jetojnë në vendet tona. Ata janë shumë të vlefshëm për shoqërinë tonë, ka thënë Posselt.