Posselt: Do të përpiqemi ti heqim vizat për Kosovën këtë vit
Bruksel, 8 prill - Eurodeputeti Bernd Posselt, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian dhe i Delegacionit për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, është shprehur se ai dhe disa eurodeputetë të tjerë, po punojnë për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës këtë vit.
Ai ka theksuar se Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Kosovën, ka qenë mjaft pozitiv, dhe organet e Bashkimit Evropian i vlerësojnë zhvillimet në Kosovë.
\"Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Kosovën, i publikuar në vjeshtë, ka qenë mjaft pozitiv. Pastaj, siç e dini, në fillim të këtij viti Parlamenti Evropian ka përmbledhur një raport në përgjigje të Komisionit Evropian, i cili ka qenë shumë, shumë pozitiv. Prandaj, më duhet të them se organet e Bashkimit Evropian i vlerësojnë shumë pozitivisht zhvillimet në Kosovë\" është shprehur Posselt për Radio Kosova.
Ai ka theksuar se pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta ndërmarrin këtë hap sa më parë.
\"Pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin atë sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë. Shpresoj se tani, kur janë kryer zgjedhjet për president të shtetit në Sllovaki, nga Presidenti i ri do të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe shpresoj pastaj kjo do të ndiqet edhe nga shtetet tjera.
Çështja e dytë që është shumë e rëndësishme, për të cilën unë angazhohem personalisht, është që Kosova sa më shpejt të përmbyllë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Marrëveshjen për Tregtinë me BE-në dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, të hiqet regjimi i vizave i Bashkimit Evropian për Kosovën. Duhet të përpiqemi që mundësisht, këtë ta realizojmë brenda këtij viti.
Pika e tretë, të cilën unë e konsideroj shumë të rëndësishme, është që ne dëshirojmë që Kosova, së shpejti, të jetë përfituese e të gjitha projekteve të Bashkimit Evropian, projekteve mbështetëse për rininë, arsimin, projekte për këmbime akademike e shkencore, këmbimeve kulturore dhe të gjitha atyre programe të tjera mbështetëse financiare sipas Procesit të Selanikut, që shtete të tjera tashmë janë duke i marrë.
Bashkimi Evropian, ka edhe një bashkësi shtetesh që është më e madhe se BE-ja, e ai është Këshilli i Evropës me 44 shtete anëtare, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria dhe Serbia, prandaj ne duam të punojmë që edhe Kosova, së shpejti, të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sepse kjo mundëson pjesëmarrjen në shumë programeve të rëndësishme dhe është në interes të qytetarëve të Kosovës, siç është rasti me Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, së cilës do të mund ti drejtohen qytetarët e Kosovës në rast nevoje\", ka deklaruar Posselt.
Ai ka shtuar se ai bashkë me disa eurodeputetë të tjerë do të bëjnë presion të vazhdueshëm, për heqjen e vizave për Kosovën, edhe pse momentalisht është shumë e vështirë.
/Radio Kosova/