Portugalia mbështet integrimin evropian të Kosovës
Lisbona, 10 korrik - Thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Portugalisë në fushën e administratës publike dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët për të dy vendet, në kontekstin e integrimeve evropiane, ishin mes temave që u diskutuan në takimin ndërmjet ministres së Administratës Publike të Kosovës, Edita Tahiri dhe ministrit të Financave dhe Administratës Publike të Portugalisë, Fernando Teixeira dos Santos.
Ministrja Tahiri foli për angazhimet e Kosovës për përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, me çrast kërkoi përkrahje nga Qeveria e Portugalisë për rrugën e Kosovës dhe të rajonit drejtë bashkësisë euroatlantike.
Nga ana e tij, ministri Teixeira dos Santos theksoi se Qeveria portugeze dhe ministria që ai drejton, angazhohen për zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën dhe janë të gatshëm për të përkrahur Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane.
Ministrja Tahiri tha se Kosova synon të ndërtojë një administratë publike moderne të vlerave evropiane, të aftë për ti dhënë shërbime të mira gjithë qytetarëve dhe bizneseve, në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si garanci për qeverisje demokratike dhe mundësi të barabarta për të gjithë, ndërsa u angazhua për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve, me qëllim të këmbimit të përvojave dhe të përkrahjes në fushën e administratës publike.
Ministri Teixeira dos Santos theksoi se përvoja e Portugalisë, në fushën e reformave të administratës publike, ka treguar së ky proces është i gjatë dhe me plotë sfida, por në esencë të përballueshme dhe me shumë përfitime për zhvillimin e qeverisjes së vendit.
Ai theksoi në veçanti rëndësinë ngritjes së efektivitetit dhe efikasitetit, përmes racionalizimit dhe modernizimit. Ministri portugez premtoi angazhim dhe përkrahje të fuqishme për shtetin e Kosovës në fushën e reformave të administratës publike, si dhe për aspiratat e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Ministri Teixeira dos Santos theksoi se integrimi i Ballkanit në BE është interes edhe i vet Evropës.