Policia ruse arreston mbi 2500 protestues për lirimin e Navalnit
Moskë, 23 janar - Policia ruse ka arrestuar mbi 2500 vetë dhe ka përdorur forcën për të shpërndarë protestuesit që kishin dalë në mot të acartë me thirrjet për lirimin e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalni.
Bashkëshortja e udhëheqësit opozitar rus Alexei Navalni u arrestua sot gjatë operacioneve të forcave ruse të rendit kundër protestuesve në mbarë vendin.
Yulia Navalnaya konfirmoi arrestimin në Moskë përmes një postimi në Instagram nga furgoni policor, duke kërkuar ndjesë për fomulimin e postimit, pasi po shkruante me dritë të dobët në furgon.
Ajo është një ndër protestuesit e shumtë që u arrestuan gjatë tubimeve me thirrjet për lirimin e Navalnit.
Protesta u zhvilluan në më shumë se 60 qytete ruse. Pjesëmarrësit sfiduan masat e marra nga policia për të penguar protestat, të cilat janë shpallur të paligjshme.
Protestat filluan në Lindjen e Largët dhe në Siberi, duke përfshirë qytetet Vladivostok dhe Khabarovsk, në të cilat sipas mbështetësve të zotit Navalni, po marrin pjesë me mijëra veta.
Në Khabarovsk, një qytet rus në kufi me Kinën, rreth 8 mijë kilometra në lindje të Moskës, protestuesit u përleshën me policinë që po përpiqej të parandalonte tubimin.
Bashkëpunëtorët e zotit Navalni në Moskë dhe qytete të tjera, janë arrestuar tashmë që para tubimeve.
Policia ka paralajmëruar mbështetësit e opozitës por edhe gazetarët e pavarur kundër mbulimit të protestave.
Universitetet ruse u kanë thënë studentëve që të mos marrin pjesë në tubimet në mbështetje të zotit Navalni, disa duke i kërcënuar ata me masa disiplinore, përfshirë përjashtimin.
Zëdhënësja e ambasadës amerikane në Moskë, Rebecca Ross komentoi në Twitter duke thënë se Shtetet e Bashkuara po ndjekin njoftimet për protesta dhe arrestime të protestuesve paqësorë dhe gazetarëve dhe dënojnë reagimin e autoriteteve ndaj demonstratave.
Protestat e së shtunës janë të parat të organizuara nga mbështetësit e zotit Navalni që kur u kthye nga Gjermania, ku po shërohej nga helmimi me një agjent nervor. Ai u arrestua menjëherë me të arritur në Moskë.