Polakët të pikëlluar për vdekjen e presidentit Lech Kaczyński
Varshavë, 11 prill - Dhjetëra mijëra polakë kanë shprehur me manifestime të ndryshme pikëllimin e tyre gjatë natës së kaluar në Varshavë, për shkak të vdekjes së papritur të presidentit të tyre Lech Kaczyński.
Në mbarë Poloninë janë mbajtur ceremoni të ndryshme fetare. Lech Kaczyński ka vdekur si pasojë e rrëzimit të avionit të tij të shtunën në Smolensk të Rusisë.
Së bashku me presidentin kanë vdekur edhe 96 persona të tjerë, ndër të cilët shefi i Bankës Qendrore, Slavomir Skzypek si dhe zëvendësministri i jashtëm Andrzej Kremer.
Autoritetet ruse bëjnë të ditur se po shtohen dyshimet se shkaku për rrëzimin e avionit ka të bëjë me gabim njerëzor.
Piloti duket se ka injoruar paralajmërimet për motin e keq. Presidenti i Polonisë ishte në rrugë për në qytetin rus Katyn, për të kujtuar viktimat polake të masakrës.
Shërbimi i policisë sekrete sovjetike ka vrarë atje në vitin 1940 rreth 22.000 oficerë dhe intelektualë polakë. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Bronislav Komorovski ka urdhëruar shtatë ditë zie në vend.
Shumë burrështetas dhe kryetarë qeverish i kanë shprehur ngushëllime popullit polak. Presidenti gjerman Horst Köhler theksoi: "Në emër të popullit gjerman i shpreh ngushëllimet më të thella popullit polak. Mendimet tona janë me ata të cilët kanë humbur anëtarët e familjes dhe miqtë e tyre."
Ndryshe do të riatdhesohet gjatë paradites së sotme, rreth orës 14, trupi i presidentit polak Lech Kaczynski, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një incident ajror.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat polake, të cilat nuk japin shumë detaje mbi varrimin e presidentit.
Trupi i pajetë i Lech Kaczynski u identifikua nga i vëllai Jaroslaw, ndërkohë që në nder të tij mijëra qytetarë polakë janë mbledhur para selisë së presidencës polake.