25 Dhjetor 2024

Poetët egjiptian kërkojnë njohjen e Kosovës

Kairo, 16 maj - Shumica e poetëve egjiptian shpalosën në këtë mbrëmje poezitë e tyre kushtuar Kosovës dhe të gjithë njëzëri, kërkuan nga qeveria e re e Egjiptit, njohjen e mënjëherëshme të Kosovës.

Shkrimtar dhe poetë shqiptar dhe egjiptian në Kairo kanë organizuar një mbrëmje me poezi kushtuar shtetit të Kosovës. Me këtë rast është organizuar dhe një simpozium, për të shpalosur vlerat e letërsisë dhe të kulturës së dy popujve. Ndërkaq, i gjithë ky aktivitet është iniciuar nga intelektuali i njohur shqiptar në Egjipt, Prof. Dr. Beqir Ismaili, njofton agjencia e lajmeve INA.

Moderator i simpoziumit ishte poeti dhe shkrimtari Muhamed Hafidh, i cili është dhe anëtar i Unionit të  Shkrimtarëve të Egjiptit. Në fjalën e hapjes Z. Hafidh tha: “Përfitoj nga ftesa dhe mikpritja e Shkëlqesisë së Tij Prof. Dr. Beqir Ismailit, për t’i dërguar urimet dhe përgëzimet e mia popullit të Kosovës me rastin e pavarësisë dhe i premtoj Prof. Ismailit se, duke marë shkas prej këtij aktiviteti të mrekullueshëm, do të punoj për të njohur me themel çështjen e Kosovës, për të cilën, pohoj se, nuk kam patur mjaftueshëm dije”.

Prof. Ismaili i falenderoi poetet për pranin e ftesës dhe tha se prezenca e tyre në këtë mbrëmje ishte shprehja më e mirë e respektit ndaj popullit të Kosovës e veçanrisht ndaj letërsisë shqiptare. Duke përfituar nga rasti, Shkëlqesia e Tij Prof. Ismaili bëri një pasqyrë të përgjithëshme të gjendjes në Kosovë dhe shpjegoi arsyet që ka paraqitur Egjipti në hezitimin e tij, për njohjen e pavarësisë.

“Tashmë-tha Ismaili- ka lindur një epokë e re për Egjiptin, prandaj ka ardhur koha që disa vendime të së shkuarës të shihen më me përgjegjësi, nën dritën e fakteve të reja. Është koha që Egjipti të hedhë hapin e tij në njohje të lirisë së këtij vendi martir e të shumëvuajtur”. Më pas Ismaili, kërkoi që edhe poetët e shkrimtarët të luanin rolin e tyre pozitiv në këtë drejtim, duke marrë kështu mbi vetë barrën e përgjegjësisë së intelektualit liridashës. 

Mbrëmja vazhdoi me shfaqjen e një filmi dokumentar, në gjuhën arabe, \"Kosova mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes\", dokumentar ky i realizuar nga Prof. Dr. Beqir Ismailit.

Më pas e mori fjalën poetit dhe shkrimtarit Muhamed Fajid Osman, i cili është autori i një poeme me 84 strofa, dedikuar pavarësisë së Kosovës e titulluar \"Çlirimi i dritës\". Titulli i poemës ka një domethënie shumë interesante. Ai simbolizon çlirimin e dritës nga pengesat që bllokojnë ndriçimin, ashtu si Kosova fitoi dritën e lirisë e cila mbahej e bllokuar nga sunduesit serbë.

Pasi lexoi fragmente nga poema e tij, Z. Osman-i deklaroi solidaritetin e tij me popullin shqiptar dhe i bëri thirrje Kryetarit të Këshillit të Forcave të Armatosura, për njohjen e shtetit të Kosovës.

Ndërsa konsulenti dhe eksperti i çështjeve ligjore dhe politike, Këshilltari Ahmed Ebu Abdullah Ahmed, tha ndërmjet të tjerash: -“Është i pamohueshëm fakti se marëdhëniet mes Egjiptit dhe shqiptarëve janë të lashta,  jo vetëm në sferën politike por edhe lidhjet e gjakut, miqësia, martesat e përziera dhe numri i madh i shqiptarëve që jetojnë në Egjipt prej shekujsh.  Është e domosdoshme për Egjiptin të njohë pavarësinë  e Kosovës dhe të ketë bashkëpunim mes dy vendeve veçanërisht tani pas Revolucionit”.

Z. Ahmet shprehu keqardhjen e tij që kjo njohje nuk ka ndodhur deri më sot dhe premtoi së do të japë kontributin e tij në mbështetje të popullit të Kosovës.

Duke vazhduar mbrëmjen e poezisë kushtuar Kosovës, Prof. Abdullah Gazi, gazetar, citoi këto vargje:

U kthye hëna, për të ndriçuar natën në Evropë,

u zgjua dëshira për të jetuar të lirë në zemër dhe në shpirt.

Kosova është hëna që shkëlqen në qiell,

për dëshmorët, fëmijët, gratë dhe pleqtë besnikë.

Përshëndes çdo pemë dhe lule,

çdo grimcë atomi të atij dheu të lashtë

çdo frymë a puhizë

që përkëdhel faqen tënde heroike Kosovë.

Ju jeni në të drejtë dhe ne pranë jush jemi gjithmonë,

Jetojmë me ju së bashku në shpirt, zemër dhe në poezi.

Të njejtat ndjenja të solidaritetit dhe vëllazërisë shprehën edhe poetët Eshref Ebu Zejd, Lejla El Seide, anëtari i Lidhjes së letërsisë moderne të Egjiptit Khader Auad, poeti i zhanrit të poezisë popullore egjiptiane Favzi Khamis, shkrimtari e gazetari Mexhdi Id, Anëtari i Unionit  së Shkrimtarëve egjiptian Salah Ferxhani, anetari i komunitetit shqiptar Prof. Mahmud Rijd, etj.

Shumica e poetëve shpalosën këtë mbrëmje poezitë e tyre kushtuar Kosovës dhe të gjithë njëzëri, kërkuan nga qeveria e re e Egjiptit, njohjen e mënjëherëshme të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)