Përparojn bisedimet për çështjen e energjisë mes Kosovës dhe Serbisë
Bruksel, 3 korrik - Delegacioni shtetëror i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në bisedimet për çështjen e energjisë që u zhvilluan në Bruksel me 1 dhe 2 korrik 2013, ku pas dy ditësh diskutimesh intensive janë shënuar përparime shumë të rëndësishme që mund të çojnë drejt arritjes së marrëveshjes.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri lidhur me rezultatet e takimit deklaroi se këto dy ditë të bisedimeve për çështjet e energjisë kanë kontribuar për tejkalimin e diferencave për disa çështje që kishin mbetur të hapura duke rezultuar në përparime të rëndësishme në procesin e arritjes së marrëveshjes për energjinë.
Mirëpo sipas saj mbeten edhe disa çështje të hapura për të cilat priten deklarimet e palëve dhe nëse nuk do të ketë afrim të mëtejmë të qëndrimeve atëherë kjo çështje do të bartet në agjendën e takimit të kryeministrave të të dyja shteteve, që pritet të mbahet më 8 korrik në Bruksel me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.
Sipas Zëvendëskryeministres Tahiri pajtimet mes palëve kanë rezultuar në një projekt marrëveshje për çështjet e energjisë që ka për bazë parimet evropiane për energji dhe Traktatin e Athinës që kërkojnë nga shtetet e Evropës Juglindore bashkëpunim dhe respektim të ndërsjellë në fushën e energjisë si kontribut për stabilitetin energjetik rajonal.
Ajo nënvizoi se është investuar shumë në këtë proces nga të gjitha palët duke marrë parasysh tash më shumë se dy vjet bisedimesh teknike për energjinë dhe se është koha që të arrihet marrëveshja mes dy shteteve në këtë fushë, në veçanti me faktin se tashmë të dyja shtetet kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ishte e shoqëruar nga Naim Bejtullahu, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it, znj. Merita Kostari, Anëtare e Bordit e ZRRE-së, z. Arben Gjukaj, Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut dhe Gazmir Raci, Këshilltar politik i ZVKM Tahirit