Përmbytje të mëdha nga shiu në Serbi e Bosnjë
Beograd, 16 maj - Qeveria e Serbisë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit për shkak të përmbytjeve dhe shirave të furishëm.
Autoritetet, në të njëjtën kohë, kanë kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian, Rusia dhe Sllovenia.
Nga vërshimet që kanë ndodhur në Serbi dhe në Bosnjë, shkollat kanë mbyllur dyert, qindra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë kanë mbetur pa rrymë.
Në Serbi, tre persona thuhet të kenë humbur jetën dhe gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në zonat e goditura rëndë, pas dy ditë reshjesh të furishme.
Më shumë se 500 njerëz janë evakuuar nga pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Serbisë.
Në Bosnjë, qindra shtëpi kanë mbetur në izolim pas rritjes së nivelit të lumit Milaqka, i cili kalon përmes Sarajevës. Rreth 3, 500 shtëpi në Sarajevë kanë mbetur pa rrymë.
Autoritetet thanë se punonjësit e shërbimeve emergjente janë duke ofruar ushqim dhe ilaçe për ata të cilët nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë e tyre.