Përkrahja amerikane për avancimin e integrimit të Kosovës në NATO është thelbësore
Bruksel, 27 qershor - "Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dritë udhëheqëse e Kosovës drejt integrimit në NATO', tha Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, në takimin me Përfaqësuesen e Përhershme të ShBA-ve në Nato, znj.Kay Bailey Hutchinson.
“Ishte nder i veçantë për mua të takoj Ambasadoren Hutchinson. Shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në të gjitha proceset për Kosovën si dhe përkrahjen e vazhdueshme për avancimin dhe modernizimin e Ushtrisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s”, tha Kryediplomatja e Kosovës.
Në këtë takim shumë të përzemërt, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Kosova është e gatshme për të ecur përpara drejt integrimit të plotë në NATO, dhe se ky rrugëtim do ta bëhet me punë, angazhim e koordinim të plotë me aleatin e saj të përhershëm - ShBA-të.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sipas Ministres Haradinaj-Stublla, do të thotë më shumë paqe, siguri dhe mbrojtje kolektive për të gjithë familjen e madhe euro-atlantike.