Përfunduan në Strasburg punimet ndërparlamentar për Kosovën
Prishtinë, 15 mars - Sot në Strasburg përfundoi punimet takimi i përbashkët dyditor ndërmjet Parlamentit Evropian (PE) dhe Kosovës, i bashkëkryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Eduard Kukan, kryesues i Delegacionit të PE-së për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë - Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.
Në takim, përgjatë këtyre dy ditëve u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me progresin e Kosovës drejt integrimit evropian, për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, për liberalizimin e vizave, për energjinë dhe mbrojtjen e ambientit, për zhvillimin ekonomik dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në këto çështje të agjendës së takimit, morën pjesë diskutues nga Parlamenti Evropian dhe nga Kuvendi i Kosovës.
Gjatë diskutimeve u konfirmuan të arriturat që ka pasur Kosova gjatë kësaj kohe, por u pasqyruan edhe dobësitë në këto procese dhe u dhanë rekomandime për vazhdimin e realizimit të objektivave të mëtejshme.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit u dakorduan për tekstin përfundimtar të një deklarate të përbashkët, në të cilën sintetizohen diskutimet gjatë takimit dhe nxirren qëndrimet e përbashkëta të delegacioneve, para së gjithash të bashkëkryesuesve të takimit.
Në deklaratë theksohet, në radhë të parë, perspektiva evropiane e Kosovës dhe detyrat që ka vendi ynë për të arritur drejt këtij qëllimi, përshëndeten proceset afirmuese nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë këtij viti dhe nënvizohet rëndësia e proceseve të ardhshme drejt liberalizimit të vizave, përafrimit me BE-në dhe integrimin evropian të Kosovës.
Zyrtarë e lartë evropianë konfirmuan që e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt dhe se tashmë askush nuk bën pengesë në këtë rrugë të saj