Përfundon takimi Thaçi-Daçiq pasojnë takimet bilaterale
Bruksel, 20 mars - Takimi i përbashkët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, duket se ka përfunduar.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e baroneshës Ashton, ka bërë të ditur se pas takimit të përbashkët ndërmjet dy kryeministrave në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zonja Ashton po zhvillon takime bilaterale me të dyja palët.
Në këtë kuadër, ajo fillimisht takon Thaçin, e pastaj Daçiqin.
Deri më sot, ishin takimet bilaterale ato që i paraprinin takimit të përbashkët.
Të dy kryeministrat janë përballur sot për të diskutuar kryesisht situatën në veri të Kosovës dhe mekanizmat që do të krijohen për administrimin lokal të kësaj pjese të banuar me shumicë serbe.
Çështja, e cila dominon bisedimet Thaçi-Daçiq, është ajo e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Palët kanë mosmarrëveshje rreth kompetencave që do të kishte ky mekanizëm. Beogradi këmbëngul në përgjegjësi legjislative dhe ekzekutive, ndërsa Prishtina i kundërshton fuqishëm ato.
Ditë më parë, baronesha Catherine Ashton, ka shfaqur bindjen se Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Mendoj se është e mundur të arrijnë marrëveshje. A janë të gatshme ose jo, do të varet prej asaj se a do të gjejmë mënyra për ti tejkaluar disa probleme të vështira që ato kanë, pati ka thënë Ashton.