Përfundon raundi i katërt i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë
Bruksel, 18 maj - Në Bruksel u zhvillua raundi i katërt i dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetuar nga BE. Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dhe në përbërje ishin këshilltarë të qeverisë dhe ekspertë të fushave përkatëse.
Procesi i dialogimit u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe rezultoi me një punë mjaft produktive me interes për qytetarët. Palët u angazhuan për një shqyrtim të fokusuar të çështjeve të hapura gjë që mundësoi përafrimin e mëtejmë të qëndrimeve.
Delegacioni i Republikës së Kosovës dha kontribut të shquar në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet euro-atlantike.
Vlerësohet se procesi ka avancuar në mënyrë esenciale dhe janë afruar drejt marrëveshjeve sidomos çështja e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe telekomunikacionit.
Në këtë raund të bisedimeve u shtruan edhe çështje të reja, fillimisht çështja e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur, me synim që të fuqizohet procesi i zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje tragjike përmes rolit aktiv të BE-së.
Po ashtu u shtrua çështje e dëmeve të luftës ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovë si një dëmtim sistematik ndaj identitetit dhe trashëgimisë dhe u kërkua riparimi dhe kompensimi i dëmeve. Çështja e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare e Republikës së Kosovës u trajtua mëtej, ndërkohë që u diskutua edhe për çështje tjera të hapura më parë.
Në vazhdim të qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri do të zhvillojë takime diplomatike me ambasadorë të vendeve të rëndësishëm të BE-së me qëllim të njoftimit të tyre me rrjedhat dhe përparimet e dialogut teknik.
Delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i priu zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Në ekipin e saj ishin Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj këshilltare politike e Zëvendëskryeministres Tahiri, Edi Shukriu - kryetare e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Vjollca Aliu - drejtoreshë e departamentit për trashëgimi kulturore në Ministrinë e Kulturës, Pajazit Nushi - koordinator i Ministrisë së Drejtësisë për të çështjen e të pagjeturve, Glybehare Llapi - zyrtare nga Ministria e Arsimit, Qemajl Marmullakaj - Zyrtar i lartë për planifikim të politikave. Ekrem Hoxha - Drejtor i Bordit të ART-së, Lulzim Kurtaj ART, Arben Gjukaj Drejtor i KEK-ut, Fadil Ismajli Drejtor i KOSTT-it dhe Naim Bejtullahu Zëvendësdrejtor i KOSTT-it.
Takimi i radhës do të mbahet kah mesi i muajit qershor.