Përfshirja e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është përfitim i dyanshëm
Bled, 1 shtator - Aspiratat e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO u theksuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik të Bledit.
Krahas zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, kryeministrave e presidentëve të shteteve të ndryshme të Evropës, kryeministri Kurti mori pjesë në panelin “Future of Europe – Enlargement”, (E ardhmja e Evropës – Zgjerimi).
Ai vlerësoi përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si përfitim të dyanshëm: “Me përfshirjen e gjashtëshes në BE, shtetet tona dhe mërgata jonë do të ishin në një entitet të njëjtë, e do të ishte shumë mirë për ekonominë. Për shembull, Kosova ka gati 20 për qind të Bruto Produktit Vendor nga remitancat”.
Kryeministri Kurti vuri theksin te korniza e re e bashkëpunimit, e quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore) e cila do të modelohej sipas EFTA-EEA.
"Para disa muajsh kam propozuar SEFTA-n në vend të marrëveshjes së CEFTA-s, ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecnin drejt BE-së së bashku. Besoj se kjo është rruga më e sigurt përpara. Nuk dua të shpërfill negociatat mes shteteve të ndryshme, por besoj se SEFTA do të ndihmonte shumë," tha ai.
Duke theksuar katër elemente të rëndësishme për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, kryeministri shtoi: "Katër gjëra janë të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor që të kenë fonde nga Bashkimi Evropian por edhe vlera të BE-së: sundimi i ligjit kundër oligarkëve, demokratizimi ndaj autokratëve, përballja me të kaluarën ndaj kriminelëve të luftës në pushtet, si dhe simetria apo reciprociteti për të drejtat e minoriteteve në shtetet ballkanike kundër hegjemonisë nacionale”, ka thënë ai.
Pjesë e këtij paneli ishin edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha, Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Polonisë, Mateusz Morawiecki, Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, Përfaqësuesi i lartë i Bosnje Hercegovinës, Christian Schmidt, Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Zheljko Komshiq dhe Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në margjina të Forumit Strategjik në Bled, kryeministri Kurti pati takime bilaterale me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, z.Andrej Plenkoviq, Presidentin e Sllovenisë, z.Borut Pahor, themeluesin dhe kryetarin e Forumit Ekonomik të Delphi-it, z. Symeon Tsomokos, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, z.Miroslav Lajčák, Komisionerin për Fqinjësi e Zgjerim, z.Oliver Varhelyi si dhe Presidentin e Këshillit Evropian, z. Charles Michel.â