28 Dhjetor 2024

Përfaqësuesit nga Kosova në trajnimin mbi diplomacinë dixhitale në Bled

Bled, 16 prill - Përfaqësues të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë morën pjesë në trajnimin  “Fuqizimi i aktiviteteve të diplomacisë dixhitale në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore”, nga datat 10-13 prill, në Bled dhe Lubjanë të Sllovenisë.

Në trajnimin i cili mblodhi mbi 70 përfaqësues të marrëdhënieve me publikun, zyrtarë të komunikimit dhe diplomatë dixhitalë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Sllovenia, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, të pranishëm ishin edhe diplomatë të njohur dixhitalë ndërkombëtarë, ekspertë të marrrëdhënieve me publikun, redaktorë të mediave dixhitale dhe entuziastë të tjerë dixhitalë.

Përfaqësuesit nga Kosova shkëmbyen përvojat e tyre me përfaqësuesit nga shtetet e tjera pjesëmarrëse në fushën e diplomacisë dixhitale, me të cilët diskutuan për bashkëpunimin konkret në këtë sektor.

Trajnimi trajtoi aspekte teorike dhe praktike të komunikimit dixhital, gazetarisë dixhitale, teknikave të posaçme të rrëfimit, planifikimit të komunikimit strategjik, redaktimit të videove, fotografisë dhe dizajnit.

Ky trajnim evoluoi dhe avancoi të kuptuarit e teorisë së komunikimit, komunikimit dixhital në rrethana krizash dhe gazetarisë dixhitale, por gjithashtu ofroi një shans për të përmirësuar dhe rritur aftësitë në fushat e fotografisë, dizajnit dhe redaktimit të videove.

Pjesëmarrësit u sfiduan në zhvillimin e fushatave dixhitale, por diskutuan edhe fenomenin e keqinformimit, përdorimin e mediave sociale.

Produktet që kanë të bëjnë me mediat dhe marrëdhëniet me publikun dhe zhvillimi i tyre tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve veçanërisht për shkak të zbatueshmërisë së tyre në jetën e tyre të përditshme profesionale.

Dita e fundit e trajnimit u zhvillua në Lubjanë dhe u përqendrua në punën ekipore, simulimet dhe prezantimet, ku pjesëmarrësit duhej të tregonin më të mirë dhe të përdornin njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë trajnimit.

Nës mesin e folësve dhe prezantuesve ishin edhe Ambasadori i SHBA-së në Slloveni, Brent R. Hartley, Presidentja e Bordit Ekzekutiv të CEP, Špela Lajmiš, Matt Jacobs, Amanda Berry, Kathy Giles-Diaz, Laurens Vermeire dhe Jared Caplan nga Departamenti amerikan i Shtetit, Phil Beekman nga Ambasada e SHBA-së në Slloveni, Ben Westlake – Tritton nga Zyra e Kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Miriam Možgan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Domen Savič nga Instituti “Državljan D” në Lubjanë dhe Damien Maloney, fotograf i pavarur. Dayna Geldwert nga Instagram bëri prezantimin qendror mbi politikat globale dhe marrëdhëniet e qeverisë me publikun.

Sesionit përmbyllës dhe ceremonisë se ndarjes së certifikatave iu bashkuan edhe Ambasadori Brent R. Hartley, Ambasador i SHBA-së në Republikën e Sllovenisë, dhe Dr. Gorazd Justinek, drejtor i Qendrës sllovene për Perspektivën Evropiane (CEP).

Trajnimi “Fuqizimi i aktiviteteve të diplomacisë dixhitale në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore” është i dyti i këtij lloji, pas trajnimit për diplomacinë dixhitale të mbajtur në nëntor 2017 dhe përbën një avancim të bashkëpunimit mes Qendrës për Perspektivën Evropiane (CEP) dhe Departamentit amerikan të Shtetit  dhe Ambasadës së SHBA-së në Lubjanë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)