Përdhunohen në grup 2 adoleshente në Indi
New Delhi, 30 maj - Tre persona, një prej tyre oficer policie, janë arrestuar pasi akuzohen për përdhunimin dhe varjen e 2 adoleshenteve në Indi.
Familjet e viktimave më parë ishin ankuar se policia kishte refuzuar të ndihmonte në gjetjen e vajzave të zhdukura, të moshës 14 dhe 16 vjeçe. Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave në Indi mbetet një çështje mjaft problematike.
Këto raste janë rritur ndjeshëm që nga viti 2012. Qeveria forcoi ligjin mbi dhunën seksuale në Indi një vit më parë, pas protestave, të cilat nisën pas përdhunimit në grup dhe më pas vrasjes së një studenteje në autobus në Delhi.
Më herët gjatë së enjtes, zyrtarët kishin konfirmuar shkarkimin nga detyra të tre policëve të cilët nuk kishin regjistruar rastin e humbjes së 2 vajzave. Trupat e pajetë të adoleshenteve janë gjetur të varur në pemë në rajonin Badaun. Ekspertiza ka vërtetuar se viktimat janë përdhunuar dhe më pas janë vrarë.
Qindra banorë të zonës ku ndodhi krimi organizuan një protestë të heshtur ndaj mosveprimit të policisë. Gjatë këtij viti një tjetër 20-vjeçare ishte përdhunuar dhe më pas ishte vrarë në Bengal, në lindje të Indisë.