Pentagoni nën akuzat për korrupsion
Washington, 13 shkurt - Kohët e fundit po flitet për një seri skandalesh korrupsioni që përfshijnë zyrtarë të Pentagonit. Kjo ka bërë që të mbahen disa seanca dëshmish në Kongres, ku Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel ka kërkuar të merren masa për korrigjimin e tyre.
Marina amerikane, Forcat Ajrore dhe Roja Kombëtare e ushtrisë amerikane, janë nën hetim, nën dyshimet për korrupsion. Incidentet shtrihen nga fushat e Montanës, ku mbahen në gadishmëri lëshimi raketat balistike me mbushje bërthamore, e deri tek objektet e Gardës Kombëtare në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në portet e Azisë Lindore, ku ndodhen anije të marinës amerikane.
Kjo situatë e detyroi Sekretarin e Mbrojtes Chuck Hagel që të njoftonte të premten e kaluar se kishte caktuar një gjeneral të lartë për tu marrë me çështjet e etikës në ushtri.
Etika dhe karakteri janë themeli i institucioneve si ushtria dhe shoqëria. Ato duhen theksuar vazhdimisht në çdo nivel komande, në stërvitje, në teorinë ushtarake dhe në të gjitha fazat e Departamentit të Mbrojtjes, si për oficerët, edhe për ushtarët, nga lart poshtë.
Në Kongres, komisioni që mbikqyr qeverinë i kryesuar nga ligjvenësi Darrell Issa, do të mbajë një seancë dëgjimore lidhur me skandalin ku është përfshirë kompania me bazë në Singapor, Glenn Defense Marine Asia.
Hetuesit thonë se presidenti i kompanisë, Leonard Glenn Francis, i ka dhënë rryshfete oficerëve të Marinës Amerikane, si para, udhëtime luksoze dhe prostituta, me synimin për të nxjerrë përfitime për biznesin e tij. Francis u arrestua dhe është në pritje të gjyqit.
Një nga oficerët e marinës të arrestuar gjatë hetimit është Michael Misiewicz, një refugjat i ardhur që fëmijë nga Kamboxhia dhe ish-komandant i një destrojeri.
Misiewicz ka qenë gjithashtu nënoficer për logjistikën i Flotës së 7-të që patrullon Oqeanin Paqësor. Prokurorët thonë se Misiewicz ka marrë rryshfete nga Francis, për ti ndryshuar drejtimin anijeve amerikane për në porte ku kompania e Francisit mund të kryente shërbime mirëmbajtjeje që tia faturonte me çmime shumë të larta marines amerikane. Misiewicz ka thënë se nuk është fajtor dhe është në pritje të gjyqit ndaj tij.
Një tjetër skandal korrupsioni i marinës përfshin ekipin e famshëm të forcave speciale SEAL Team Six. Kjo skemë përfshin silenciatorët e prodhuara për armët e forcave SEAL. Prodhimi i kësaj pajisjeje kushton 8 mijë dollarë, por ushtrisë amerikane ju dha faturua prej 1.6 milionë dollarësh. Ky incident e detyroi Sekretarin e Marinës Ray Mabus të kërkonte dorëheqjen e nënsekretarit Robert Martinage.
Ndërkohë, Forca Ajrore është duke hetuar çështjen në se të paktën 92 oficerë kanë mashtruar me testet për tu kualifikuar si specialist për lëshimin e raketave balistike bërthamore. Marina po ashtu është në kërkim të skandaleve të ngjashme.
Po ashtu ka dyshime rreth procedurave të regjistrimit të ushtarëve në radhët e Gardës Kombëtare. Senati kohët e fundit mbajti seanca dëgjimore lidhur me akuzat se rekrutuesit dhe persona të tjerë kanë grabitur deri në $66 millionë dollarë përmes një skeme ku përfshihen bonuse nga regjistrimi i ushtarëve.
Analisti i Institutit Brookings Michael OHanlon thotë se është koha që Pentagoni të mbajë përgjegjësi për këto shkelje.
Lind pyetja në se nevojitet më tepër disiplinë, ose të paktën të jepet një mesazh i qartë se veprime të kësaj natyre duhen çrrënjosur dhe nuk duhet toleruar asnjë lloj neglizhence në trajtimin e këtyre çështjeve.
Analisti OHanlon thotë se skandalet dëmtojnë sigurinë e vendit dhe me kalimin e kohës, mund të dëmtojnë vetë strukturën dhe reputacionin e forcave të armatosura.