PE: Kosova dhe Serbia të avancojnë drejt dialogut
Bruksel, 24 maj - Deputetët e Parlamentit Evropian theksojnë nevojën e dialogut mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit sa i përket bashkëpunimit rajonal.
Një pjesë e deputetëve të PE-së mendojnë se përpjekjet e deritanishme nga diplomatët e dy vendeve nuk janë të mjaftueshme, me gjithë vlerësimin nga raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin.
Mendoj se kohët e fundit është më shumë racionale sesa emotive ajo qasje emotive historike që është konfrontuese, në një farë mënyre po tërhiqet dhe se ka më tepër qasje të tilla racionale në dobi të dyja palëve. Unë mendoj se të dyja palët në njëfarë mënyre kanë avancuar dhe unë shoh lëvizje të qarta pozitive përse duhet lavdëruar Beogradi dhe Prishtina, ka thënë Kacin.
Por, kolegët e tij nga Parlamenti Evropian mendojnë se niveli aktual i bashkëpunimit është i pakënaqshëm.
"Situata është shumë e ndjeshme dhe tensioni ndihet sidomos pas aksionit që zbatoi EULEX-i me qëllim të eliminimit të korrupsionit. Mendoj se të gjithë duhet të jenë të qetësuar dhe që sërish të fillojë dialogu për një zgjidhje afatgjatë", ka deklaruar eurodeputeti austriak Johanes Suoboda.
Kur them dialogu, nuk mendoj për negociata formale, por për biseda midis Serbisë dhe Kosovës, temë e së cilës do të jenë marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës, ka shtuar Suoboda.
Ndërkaq, eurodeputetja gjermane, Doris Pack thotë se "një problem i madh për BE-në paraqet mënyra se si sillet Serbia ndaj Kosovës". "Me këtë rast nuk mendoj në atë që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës nuk duhet të vazhdojnë në mënyrën si po zhvillohen aktualisht", ka thënë Pack.
Ndërkaq, sipas fjalëve të eurodeputetes austriake Ulrike Lunaçek, çështja e statusit nuk është moment kyç kur duhet biseduar seriozisht për bashkëpunimin rajonal.
"Sipas meje, nuk bëhet fjalë për bisedimet në cilëndo temë tjetër, përveç për bashkëpunimin rajonal dhe punën e përbashkët për eurointegrime. Kjo është ajo për të cilën i flas edhe Beogradit edhe Prishtinës - se duhet të ketë prova për përparim dhe se të dyja palët duhet të mbështesin të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë. Kjo nuk nënkupton çfarëdo bisedime të ngurta sa i përket çështjes së statusit", thotë Lunaçek.