Paviçeviq: Zyrtarët ndërlidhës pa zyra
Beograd, 12 shkurt - Kurrfarë zyre për ndërlidhje mes Beogradit dhe Prishtinës nuk do të ekzistojë, dhe askund nuk do të figurojë emri Republikë e Kosovës, ka deklaruar zyrtari ndërlidhës i Beogradit Dejan Paviçeviq.
Ai në një intervistë për gazetën Danas, ka thënë se të gjitha marrëveshjet kanë pasur si parakusht neutralitetin karshi statusit.
Sipas tij, zyrtari ndërlidhës është vetëm një person, dhe jo delegacion dhe se zyra nuk do ekzistojë.
Ai ka sqaruar se zyrtari kosovar ndërlidhës do të qëndrojë në ndërtesën e Delegacionit të BE-së në Beograd, ndërkaq Paviçeviq, si i dërguar i Beogradit, do të dërgohet në ndërtesën e BE-së në Prishtinë, përkatësisht në Zyrën e Përfaqësuesit Special të BE-së, në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Disa zyrtarë kosovarë kanë thënë se zyrtarët ndërlidhës, janë de fakto ambasadorë, dhe se Kosova do ta ketë zyrën, në të cilën do të figurojë edhe termi Republikë e Kosovës, pavarësisht Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.