28 Dhjetor 2024

Pas revolucionit, Egjipti do të lidh marrëdhënie me Kosovën

Kajro, 13 shtator - Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Egjipt, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar takime me kandidatë potencial për president të Egjiptit dhe disa përfaqësues të Qeverisë së Përkohshme të këtij shteti.

Kandidati për President Hamdeen Sabahi, gjatë takimit me Ministrin Hoxhaj ka shprehur bindjen që ai do të fitoj garën për këtë post, duke thënë se do të ndihet krenar që ta kurorëzoj njohjen e Kosovës nga Egjipti.

“Nuk ka dilemë që unë do të jem President me fat,në ditën kur unë do të lidh marrëdhënie diplomatike me vendin tuaj. Egjipti dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Kosovarët kanë luftuar njëjtë si egjiptianët muajt e fundit, për liri dhe dinjitet, prandaj pranimi i pavarësisë do të jetë edhe mbështetje për sakrificën e popullit tuaj për liri dhe pavarësi”, ka thënë Sabahi.

Ministri Hoxhaj, ka falënderuar Sabahi për mirëkuptimin e plotë të tij dhe popullit egjiptian për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, duke e njoftuar për zhvillimet në Kosovë dhe procesin e përmbylljes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Kurse, gjatë takimit me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Ministri Hoxhaj e ka informuar me zhvillimet e fundit në Kosovë, procesin e shtetndërtimit, progresin e vazhdueshëm në aspektin e brendshëm, dhe me forcimin sistematik të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj, ka kërkuar nga Qeveria e Egjiptit që sa më parë që të jetë e mundur të njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, si dhe që të ushtroj ndikimin e saj në vendet e tjera arabe që nuk e kanë njohur ende Kosovën, të marrin një vendim të tillë.

Në anën tjetër, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Egjiptit e ka siguruar Ministrin Hoxhaj se pas revolucionit në Egjipt, populli i egjiptian ka simpati dhe mirëkuptim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Andaj, sipas tij, pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike të dy qeveritë do të lidhin marrëdhënie diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, ka zhvilluar një takim edhe me kabinetin e Kryeministrit të Egjiptit, ku pasi ka prezantuar realitetin dhe zhvillimet në Kosovë, ka kërkuar përkrahjen e Republikës së Egjiptit për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy popujve dhe shteteve tona.

Këshilltari i Kryeministrit egjiptian ka thënë se vizita e Ministrit Hoxhaj në Kajro është një ngjarje e rëndësishme për popullin egjiptian. Ai ka thënë po ashtu se Egjipti tash e tutje nuk duhet të bëjë gabimin që e ka bërë në të kaluarën dhe se duhet që sa më parë të pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj i kanë treguar tërë botës se e kanë merituar lirinë dhe pavarësinë dhe Egjipti shumë shpejt do ta pranojë këtë realitet”, ka thënë këshilltari i kryeministrit egjiptian.

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë ditës ka mbajtur një ligjëratë në Unionin e Mjekëve të Egjiptit, ku përveç mjekëve, ka takuar edhe shumë përfaqësues të revolucionit të fundit demokratik, intelektualë dhe dashamirës të popullit dhe shtetit të Kosovës.

Në fjalën e tij, Ministri Hoxhaj është fokusuar në procesin e shtetndërtimit dhe stabilitetin e Kosovës, te implementimi i Pakos së Ahtisaarit për të drejtat e minoriteteve si dhe te përmbyllja e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës.

Ministri Hoxhaj fillimisht ka bërë një përshkrim të detajuar të shtetndërtimit në Kosovë, progresin që është shënuar në tri vjetët e pavarësisë dhe përpjekjet e Kosovës për të forcuar pozitën ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka theksuar rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Egjipti  dhe vendet e tjera arabe, gjë që, siç tha ai,do të çonte drejt forcimit të mëtejshëm të subjektivitet ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe do të kishte impakte pozitive edhe në proceset  e brendshme zhvillimore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)