Partitë politike në Serbi mbështesin marrëveshjen me Kosovën
Beograd, 26 prill - Të gjitha partitë parlamentare në Serbi, me përjashtim të Partisë Demokratike, kanë paralajmëruar se do të mbështesin raportin e qeverisë për dialogun me Prishtinën dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke folur lidhur me marrëveshjen, kryeministri Ivica Daçiç tha se negorciatat u zhvilluan me qëllim që të lihet pas e kaluara.
\"Sot vendi ynë është i shkatërruar. Vetëm nëse kemi guxim, nëse ne nuk do ta gënjejmë vetveten dhe të tjerët, dhe vetëm nëse ne kemi vizion të qartë, atëherë ne, gjenerata jonë, do të jetë në gjendje ta ndërtojë vendin, në mënyrë që fëmijët tanë, të mos duhet të pastrojnë gërmadhat.\"
\"Kjo është se përse ne zhvilluam negociata: për të ndalur të kaluarën, varfërinë dhe disfatat që nuk kishin fund. Dikush do të duhej ta bënte këtë, në mënyrë që nga asgjëja të bëjmë diçka\", deklaroi Daçiç.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Serbisë, mbështetjen për marrëveshjen e kanë paralajmëruar të gjitha partitë në koalicionin qeveritar, por edhe shumica e partive në opozitë.
Para fillimit të seancës së Kuvendit, disa qindra vetë kanë protestuar kundër marrëveshjes me Kosovën. Protesta, e cila është siguruar nga forca të shtuara policore, kaloi pa incidente.