Partitë kosovare pas votuesve edhe në Maqedoni
Tetovë, 14 tetor - Në Tetovë dhe Shkup funksionojnë shtabe mobile që mobilizojnë votues për të shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Vendimtarë për fitoren e kandidatëve në disa komuna në zgjedhjet lokale në Kosovë do të jenë edhe votues shqiptarë nga Maqedonia, që kanë edhe shtetësinë e Kosovës.
Janë disa komuna ku shqiptarët e Maqedonisë që kanë shtetësi të dyfishtë po shikohen si votues me interes nga ana e disa partive politike në Kosovë. Ky grup votuesish janë familje që kanë origjinë nga Kosova, por që jetojnë në Maqedoni.
Në Tetovë dhe Shkup funksionojnë shtabe mobile që mobilizojnë votues për të shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Komunat më të rëndësishme për votuesit nga Maqedonia janë komunat e Sharrit, Hani i Elezit, Kaçaniku, Vitia, Ferizaji, por edhe Prishtina. Kandidati i pavarur për Hanin e Elezit Rufki Suma ka theksuar se ka një mobilizim të madh nga partitë e tjera, kryesisht PDK për të përfituar votat e atyre votuesve që kanë shtetësi të dyfishtë dhe që jetojnë në Maqedoni.
Ai ka theksuar për KTV se në Tetovë tashmë funksionon edhe një shtab i një partie politike, që bën aktivitet politik për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Derisa votuesit shqiptarë nga Maqedonia janë të preferuarit e këtyre komunave, nga ana tjetër, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë target grupi i partive për Gjilanin, Prishtinën, Kamenicën, etj.