Partia e Boris Tadiq me degë në Kosovë
Beograd, 12 shkurt - Goran Bogdanoviq, zyrtar i Partisë Demokratike (DS), i cili i është bashkuar partisë së re që po formohet nga ish-presidenti i Serbisë, ka deklaruar se Partia e Re Demokratike (NDS) e Boris Tadiqit ka krijuar këshillat iniciues edhe në Kosovë, në komunat ku jetojnë serbët.
Bogdanoviq shprehet se DS-në e kanë braktisur kolektivisht dhe kanë kaluar në NDS, degët komunale në Leposaviq, Klinë, Obiliq, Lipjan, si dhe pjesa më e madhe e degës në Gjilan, raportojnë mediat serbe.
Bogdanoviqi ka paralajmëruar se partia e re e Tadiqit, i cili e braktisi DS-në dhe do të garojë në zgjedhje me partinë e re, në Kosovë do të angazhohet për mbrojtjen e interesave të bashkësisë serbe dhe krijimin e kushteve për vendosjen e besimit ndëretnik, pajtimit dhe të bashkëjetesës mes serbëve dhe shqiptarëve.
Kështu në zgjedhjet serbe që pritet të zhvillohen në veriun e Kosovës, shtohet edhe një tjetër parti garuese që kërkon të marrë votat e serbëve që jetojnë në Kosovë.