Parlamenti holandez i jep përkrahje të fuqishme Kosovës
Amsterdam, 21 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë dhe ambasadori ynë në Holandë, Nexhmi Rexhepi, u prit sot në një takim të ngrohtë dhe miqësor, nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës, znj. Gerdi Verbeet dhe në një takim të veçantë nga Komisioni për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, të cilin e kryesonte Van Bonmel.
Në këto takime, kryetari Krasniqi pasi falënderoi zyrtarët holandezë për kontributet që shteti i tyre ka dhënë për Kosovën, që nga angazhimet e tij në forcat ndërhyrëse të NATO-s, të KFOR-it e të EULEX-it, për njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës dhe për mbrojtjen e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, konstatoi që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës janë të shkëlqyeshme.
Ai i njoftoi mikpritësist me situatën e brendshme në Kosovë, për stabilitetin e saj politik, zgjedhjet, konsolidimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e shtetit ligjor, mbrojtjen të drejtave të pakicave dhe për problemet që ka Kosova në veriun e saj.
Kreu i Kuvendit foli gjithashtu edhe për fqinjësinë e mirë më shtetet fqinje, përveç me Serbinë, e cila, sipas Krasniqit, ende nuk është e gatshme që të vendosë marrëdhënie me Kosovën. Ai foli edhe për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kreu i Kuvendit shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për qartësimin e hapave që duhet të ndërmarrë ajo në këtë proces.
Ne presim që Komisioni Evropian shumë shpejt të na japë udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave dhe qartësimin e hapave që duhet të ndjekë Kosova, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Ai foli edhe për raportin e Dik Martit dhe dëmet që i ka shkaktuar ai, sqaroi pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të pavërtetat e thëna në këtë raport.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe në mënyrë të veçantë ndërmjet dy parlamenteve, kryetari Krasniqi shprehu nevojën e shpeshtimit të kontakteve dhe thellimin e marrëdhënieve ndërparlamentare.
Pasi konstatoi se në Kosovë ka mbi dyzet biznese holandeze, si në tregti, prodhim, shërbime etj., e paraqiti edhe nevojën e shtimit të investimeve holandeze në Kosovë, ku po krijohet kushte të favorshme për investimet e huaja.
Ai parashtroi nevojën e nënshkrimit të marrëveshjeve, edhe të atyre të trashëguara nga ish-Jugosllavia, si për tregti, transport, shërbime ajrore, kulturë, sigurim social, anulim të taksave të dyfishta, marrëveshjen për riatdhesim (që hyn në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave) etj.
Autoriteteve holandeze, Krasniqi iu kërkoi ndihmë për njohjen e gjerë ndërkombëtare, që i duhet kaq shumë Kosovës dhe paraqiti pengesën e madhe që i vjen Kosovës nga mosnjohja prej të gjithave vendeve të Bashkimit Evropian.
Ai kërkoi, gjithashtu, që Kosova të trajtohet njësoj sikurse të gjitha shtetet e tjera të rajonit, në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në takimet rajonale e ndërkombëtare, si dhe kërkoi ndihmë në procesin e integrimit evropian e të krijimit të marrëdhënie kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si dhe për rikthimin e marrëveshjes për masat preferenciale tregtare.
Krasniqi e ftoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Komisioni parlamentar për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, ndërkaq, do të vijë në Kosovë gjatë muajit maj të këtij viti.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës, znj. Gerdi Verbeet, pasi i uroi mirëseardhje kryetarit Krasniqi, tha se në Parlamentin e Holandës ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën.
Ne e kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament. Edhe sot, parlamenti holandez i jep një përkrahje shumë të fuqishme Kosovës në procesin e integrimit të saj në BE. Ne kemi kritere strikte por të ndershme, për këto procese, theksoi ajo, ndërsa shtoi se Kosova ndodhet në hapat e parë drejt integrimit.
Verbeet tha se kjo vizitë është shumë e qëlluar dhe do ti kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve dhe vendeve tona. Ajo theksoi që Dhoma e Përfaqësuesve e Mbretërisë së Holandës, i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.
Në Komisioni për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, diskutuan pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit që ishin të pranishëm, kurse kryesuesi i tij, e quajti këtë një vizitë historike, sepse, siç tha ai, është e para e këtij niveli nga Kosova në Holandë.
Të gjitha çështjet që i parashtroi z. Krasniqi para komisionit, Van Bonmel tha se janë në një debat parlamentar në Holandë.
Anëtarë të këtij komisioni i bënë pyetje të shumta kryetarit Krasniqi, të cilat kishin të bënin me marrëdhëniet me Serbinë, diplomacinë parlamentare, mundësinë e zhvillimit të takimeve ndërmjet deputetëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, dialogun që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, raportin e Dik Martit, raportet e shtetit të Kosovës me fenë, decentralizimin etj.
Kryetari Krasniqi bëri sqarimet e nevojshme për të gjitha çështjet që parashtruan anëtarët e këtij komisioni.
Gjatë ditës së sotme, kryetari Krasniqi do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Philippe Couvrer dhe do ti bëjë një vizitë ambienteve të kësaj gjykate.