Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën
Bruksel, 18 prill - Parlamenti Evropian miratoi sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovë.
Miratimi u bë pa votim, duke qenë se asnjë nga ligjvënësit në sallë nuk kishin kundërshtim.
Nesër do të nënshkruhet akti ligjor, e pas kësaj, hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Fletoren zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
"Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar", tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024. Çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës u lidh me hyrjen në fuqi të sistemit të udhëtimit në Europë, Etias.
Duke qenë se afati i tij për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm. Një shumicë e madhe eurodeputetesh e mbështesin heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.
Parlamenti Europian ka qenë në fakt institucioni i BE-së, që e ka mbështetur më fort lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht e ka kritikuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për vonesa të panevojshme në këtë proces.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh europiane.