Parlamenti Evropian mbështet të ardhmen evropiane të Kosovës
Prishtinë, 20 maj - Pas përfundimit të takimit të përbashkët Parlamenti Evropian Kosova, u mbajt një konferencë e përbashkët për media e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe kryetarit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, i cili udhëheq delegacionin e PE-së. Kryekuvendari Krasniqi duke njoftuar mediat se sot ka përfunduar punimet Takimi i Katërt vjetor - Parlamenti EvropianKosova, shprehu kënaqësinë për përmbajtjen e takimit, për përfundimet që u nxorën dhe për deklaratën e përbashkët që u miratua.
Për dy ditë rresht ne kemi trajtuar tema të rëndësishme për zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, si: integrimi evropian,reformat institucionale,decentralizimi, sistemi arsimor, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit; perspektiva ekonomike e sociale, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu me Serbinë etj. Parlamentarët evropianë dhe diskutuesit vendorë dhanë kontribute të çmueshme në shqyrtimin e agjendës së ngjeshur, theksoi kreu i legjislativit të vendit.
Ky takim, tha z. Krasniqi, rikonfirmoi edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Evropian, qëndrimin e qartë dhe të avancuar që ka ai ndaj shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e pakursyer që Bashkimi Evropian po vazhdon t i japë Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi falënderoi mbarë delegacionin parlamentar evropian, ndërsa në mënyrë të veçantë Kukan, për qëndrimet e tyre mbështetëse dhe për kontributin e çmuar që dhanë. Krasniqi shprehu besimin se konkluzionet e arritura do të trajtohen seriozisht nga faktorët që ato iu adresohen.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, në fillim theksoi se në këtë takim pati diskutime shumë të mira, të shoqëruara nga besimi i ndërsjellë dhe klima shumë e mirë që u krijua ndërmjet dy delegacioneve.
Parlamenti Evropian mbështet të ardhmen evropiane të Kosovës, ndaj në këtë frymë u theksua nevoja që Bashkimi Evropian të trasojë rrugën dhe të përcaktojë kushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.
Në këtë frymë rëndësi shumë të madhe ka nisja e reformave, në bazë të të cilave do të krijohej një jetë më e mirë për qytetarët, siç është ulja e papunësisë, si dhe zgjidhja e problemeve të tjera jetësore për popullin e Kosovës, sepse kjo është detyrë e politikanëve, pra t iu shërbejnë qytetarëve të tyre, dhe kjo duhet të kihet gjithnjë para sysh kur flitet për liberalizimin e vizave, reformën zgjedhore, luftën kundër korrupsionit dhe për të gjitha çështjet tjera.
Kukan shprehu kënaqësinë për gatishmërinë e treguar nga ana e përfaqësuesve vendorë për vazhdimin e këtyre reformave.
Nga Kosova po largohemi me një ndjenjë të mirë, kishim një takim shumë të dobishëm e të frytshëm, i cili do të japë rezultate, theksoi kryetari i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan.