Papandreu: Greqia nuk do të falimentoj
Athinë, 18 korrik - Kryeministri i Greqisë Jorgo Papandreu ka mbrojtur mendimin se \"ai ka marrë përsipër mëkatet e të tjerëve për të mos lejuar që vendi të përjetojë tragjedi\" dhe ka thënë se Greqia nuk do të falimentojë.
Në intervistën që Papandreu dha për gazetën e botuar në Athinë, Kathimerini, tha se në këto momente që Greqia po lufton me problemet e krizës financiare dhe borxhet, ka nga ata që duke përhapur frikë vënë bast se vendi do të pësojë disfatë.
\"Por ata që luajnë me fjalët për të përhapur frikën po veprojnë pa përgjegjësi dhe po luajnë me zjarrin. Ne penguam falimentimin e Greqisë, dhe ajo edhe në të ardhmen nuk ka për të falimentuar. Përkundrazi, në këto kohëra ne jemi në fazën e çlirimit të Greqisë për një aftat të gjatë nga çështja e borxheve\" tha Kryeministri grek Papandreu.
Ai e akuzoi opozitën se po sillet pa përgjegjësi dhe vuri në dukje se ka nga ata që nëpër kritikat e tyre diskutojnë edhe dashurinë e tij për atdheun.
\"Ndërkohë që jam unë ai që për të shpëtuar vendin nga tragjedia kam marrë përsipër mëkatet e të tjerëve. Mjaft më me teoritë e komplotit. Prapa këtyre fshihen ata që nuk duan të kuptojnë se Greqia duhet të ndryshojë\" u shpreh Papandreu.