10 Janar 2025

Panariti kërkon njohjen e Kosovës nga Kina

Tiranë, 22 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Kinës, Yang Jiechi.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti përsëriti dëshirën që Republika Popullore e Kinës, duke patur një rol shumë të madh në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme ndërkombëtare, të luajë rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Kjo njohje nga ana e Republikës Popullore të Kinës do të jetë një kontribut tjetër i madh në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”, tha ministri Panariti në takim me homologun kinez Yang Jiechi, njofton Ministria e Jashtme Shqiptare.

Sipas njoftimit, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë po ashtu vlerësoi nivelin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis të dy vendeve dhe e siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri.

Panariti thuhet se po ashtu vlerësoi progresin e arritur nga Republika Popullore e Kinës, sidomos në fushën ekonomike.

“Vizita e ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi, në Shqipëri, një vit më parë, përbën një ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme. Ajo rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve ,si dhe vullnetin e dy qeverive që ky bashkëpunim, sikurse ka treguar dhe kjo periudhë njëvjeçare, të zgjerohet dhe thellohet më tej, jo vetëm në shkëmbimin e vizitave të ndryshme, por edhe në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e pranisë së investitorëve kinezë në Shqipëri  etj., duke sjellë një dinamikë të re të këtyre marrëdhënieve”, citohet të ketë thënë ministri i Jashtëm shqiptar.

Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, në anën tjetër, vlerësoi lart frymën e ngushtë të bashkëpunimit që ekziston ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, ndërsa vizitën e ministrit Panariti e cilësoi si shprehje konkrete të marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera midis dy vendeve tona.

Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës, sipas njoftimit nga MPJ-ja shqiptare, ministri Yang Jiechi u shpreh se ato janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të traditës, vullnetit politik, por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të dy vendeve ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)