Panariti: Egjipti dhe dy shtet të Europes pritet ta njohin Kosovën
Në rrugë të njëjtë sipas tij janë edhe dy nga pesë shtete e mbetura të BE-së.
Egjipti dhe dy shtete të BE-së shumë shpejt pritet të njohin Republikën e Kosovës. Ky është paralajmërimi i Ministrit të Punëve të Jashtme në largim të Shqipërisë, Edmond Panariti, i cili posa është kthyer nga një vizitë zyrtare në Kajro.
Pa përmendur emrat e dy shteteve të BE-së që pritet ta njohin Kosovën, Panariti nuk ka dhënë një datë se kur do të zyrtarizohen, por ka thënë se shpejt do të ketë lëvizje në këtë drejtim.
Dy vendet të BE-së shpejt do të lëvizin drejt njohjes së Kosovës. Por, mendoj se klima brenda pesëshes evorpiane po ndryshon dhe shpejt Kosova do të ec drejt integrimeve evropiane, ka thënë Panariti.
Kryediplomati shqiptar në shkuarje ka folur edhe për vizitën ne shtetin egjiptian, ku ka takuar liderët në Kajro dhe zyrtarët e Ligës Arabe, me të cilët ka thënë se ka folur ekskluzivisht për njohjen e Kosovës.
Posa jam kthyer prej vizitës në Egjipti, ku pata takime me zyrtarët e shtetit egjiptian, përkatësisht me Presidentin Morsi, i cili më tha se është çështje ditësh zyrtarizimi i njohjes së Kosovës, ka paralajmëruar ai.
Shteti egjiptian e ka paralajmëruar njohjen prej muajsh, por ende nuk e ka zyrtarizuar atë.
Sidoqoftë, Panariti ka thënë se premtime për njohje të reja për shtetin e Kosovës ka marrë edhe prej zyrtarëve të Ligës Arabe.
Gjatë qëndrimit në Egjipt kam zhvilluar takime edhe me Sekretarin e Ligës Arabe, dr. Nabil Elaraby, me të cilin kam biseduar për shtimin e njohjeve për Kosovën. I kam thënë z. Elaraby që të punojë edhe më shumë që vendet që janë pjesë e Ligës Arabe të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. z. Elaraby më premtoi se do të ketë lëvizje të shteteve të reja që do të pranojë shtetin e Kosovës, ka shtuar ai.
Ndryshe, Kryediplomati shqiptar në largim ka folur edhe për dialogun Kosovë Serbi dhe iu ka bërë thirrje palave që të arrijnë marrëveshje.
Për Kosovën, Panariti ka thënë se duhet të mos e ndryshojë qëndrimin sa i përket asaj se sovraniteti dhe integriteti i shtetit nuk diskutohet me askënd.
Kosova deri më tash është paraqitur në mënyrë shumë dinjitoze në dialogun që po zhvillohet në Bruksel. Tirana pret që të ketë përparime në këtë proces, por e mbrojmë qëndrimin se nuk duhet të tejkalohen vijat e kuqe te prezantuara nga Prishtina dhe që janë të vendosura edhe në Kushtetutën e Kosovës, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, Panariti pret njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë si rezultat i dialogut që po zhvillohet në Bruksel.
Ministri Panariti ka deklaruar se shteti kosovar dhe ai serb duhet të shfrytëzojnë dialogun për të ecur më shpejt drejt integrimeve në BE.
/Express/