Panariti: Beogradi të respektojë sovranitetin e Kosovës
Tiranë, 10 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Panariti, ka paralajmëruar një vizitë në Beograd, e cila do të realizohet brenda muajit mars.
Në një intervistë dhënë agjencisë shtetërore të lajmeve (ATSH), kreu i diplomacisë shqiptare ka folur për situatën e tensionuar në Maqedoni, bisedimet Prishtinë - Beograd të ndërmjetësuara nga Brukseli, si dhe për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka vlerësuar se garanci e vetme për ecurinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe posaçërisht Marrëveshja në menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve.
Ne përshëndesim dhe mbështesim dialogun tashmë të institucionalizuar midis dy vendeve sovrane. Madje jemi të inkurajuar edhe nga fakti se kjo po ndodh në nivelet më të larta të hierarkive shtetërore dhe institucionale përkatëse, si rruga e vetme për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme edhe për veriun e Kosovës.\"
\"Ky dialog duhet të vazhdojë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke shmangur që në embrion çdo përpjekje që kërkon enklavizim të Kosovës, gjë që do të prodhonte një situatë të pashpresë dhe vatër permanente tensioni dhe konflikti sipas modelit të Bosnjës, ka thënë Panariti.
Kjo, sipas tij, nuk është as në interes të Kosovës dhe as të Serbisë dhe për më tepër as në interes të paqes, stabilitetit dhe progresit në Ballkan.