Palestinezët kundër vizitës së Obamës
Bregu Perëndimor, 20 mars - Palestinezët janë skeptikë lidhur me vizitën e Obamës, i cili sot do të takohet me Netanyahun ndërsa nesër me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas.
Policia palestineze është përleshur me dhjetëra protestues, të cilët po kundërshtojnë vizitën e presidentit Barack Obama në Bregun Perëndimor.
Gjatë përleshjeve, policia ka arritur të pengojë shkuarjen e demonstruesve në zyrat e presidentit Mahmoud Abbas në Ramallah, ndërkohë që nuk raportohet për lëndime serioze.
Palestinezët janë skeptikë lidhur me vizitën e Obamës në Jerusalem, ku do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe në Ramallah të enjten me presidentin e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas.
Rreth 5 mijë policë janë angazhur në Jerusalem për vizitën e Obamës, ndërkohë që në pjesën palestineze janë angazhuar 3 mijë. Në territorin palestinez po zhvillohen protesta tash e disa javë, ndërsa që prej muajit dhjetor, nëntë palestinezë janë vrarë në përleshjet me ushtrinë izraelite.
Të premten, para nisjes për në Jordani, Obama do të vizitojë Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem të Bregut Perëndimor.
Shumë pak palestinezë besojnë se kjo vizitë, e para që prej ardhjes në pushtet si president i SHBA e Obamës, do të sjell ndryshime qëndrimesh, pasi siç thonë ata, Obama nuk ua ka vënë veshin kërkesave të tyre. (Al Jazeera)