Pakistani partner për njohjen e Kosovës nga shtetet Islamike
Islamabad, 11 mars - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Pakistan ka takuar Presidentin e këtij vendi, Mamnoon Hussain, me të cilin kanë diskutuar për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në të gjitha nivelet duke përfshirë atë politik, ekonomik, tregtar, kulturor e arsimor.
Hoxhaj duke falënderuar Presidentin për mbështetjen, ka thënë se Pakistani konsiderohet një partner i rëndësishëm për Kosovën në këtë pjesë të botës dhe po ashtu se Kosova mund të jetë për Pakistanin në Evropën Juglindore.
Kryediplomati kosovar ka kërkuar mbështetje në sigurimin e njohjeve nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Në takimin me Presidentin e Pakistanit e informova atë për procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Po ashtu i kërkova atij mbështetje sa i përket njohjes së Kosovës nga disa vende anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, si dhe mbështetjen që mund ta sigurojë Pakistani për anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare.\"
\"Pata mundësinë të takojë edhe kryetarin e Senatit të këtij shteti, si dhe kam pas takime të veçanta me Komisionin për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes, ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, Presidenti Hussain ka thënë se të dyja demokracitë, veçmas institucionet shtetërore mund të luajnë rol të rëndësishëm në lehtësimin e afrimit të bashkëpunimit dhe afrimin e dy popujve, të Pakistanit dhe të Kosovës.
Shefi i diplomacisë kosovare ka takuar edhe Kryetarin e Senatit të Pakistanit, Syed Nayyer Hussain Bokhari, të cilin e ka njoftuar për të arriturat e Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Hoxhaj dhe Bokhari janë pajtuar se bashkëpunimi duhet të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen.
Ministri kosovar po ashtu ka takuar edhe përfaqësuesit e disa komisioneve parlamentare.
Në fund të vizitës, Hoxhaj ka mbajtur një ligjëratë në Institutin për Studime Strategjike, ndër organizatat hulumtuese më të njohura në vend. Hoxhaj ka folur për shtetndërtimin e Kosovës dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Kosova para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Gjatë qëndrimit në Pakistan, Hoxhaj një ditë më herët ka takuar ministrin e Jashtëm të Pakistanit dhe atë të Ekonomisë.