Pacolli takohet me Sekretarin Gjeneral Ban Ki Moon
New York, 22 prill - Pas rezultateve të fundit që solli fushata lobuese e Presidentit të AKR-së, me njohjen e 66 nga Mbreteria e Swazilandit, Pacolli ka zhvilluar edhe një sërë takimesh të tjera të rëndësishme në Londër dhe New York.
Presidenti i AKR-se Behgjet Pacolli, në kuadër të fushatës së tij lobuese, ka udhëtuar këto ditë në Londër ku është takuar me Ministra të Jashtëm të shteteve të Commonwealth, ndër ta edhe me disa Ministra të shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve Pacolli ka kërkuar nga këto shtete përshpejtimin e procedurave për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke prezantuar të gjitha argumentet se Kosova po zhvillohet si shtet i pavarur dhe demokratik si dhe duke veçuar se njohjet kanë rëndësi esenciale për integrimin e mëtutjeshëm te Kosovës.
Pas qëndrimit dy ditorë në Londër, dhe zhvillimit të këtyre takimeve, Behgjet Pacolli ka udhëtuar për në New YORK, ku është takuar me Presidentet e tre shteteve të rëndësishme të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
z. Pacolli pas takimeve është shprehur i kënaqur me diskutimet dhe me sinjalet pozitive që janë dhënë në drejtim të bërjes së hapave të mëtutjeshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga këto vende.
Presidenti i AKR-së, i cili kohëve të fundit e ka intensifikuar fushatë e tij të lobimit, beson fuqishëm se këto takime do të sjellin shumë shpejt edhe rezultate konkrete, dhe lajme të mira për popullin dhe shtetin e pavarur të Kosovës.
Në këtë kuadër, Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli është takuar edhe me disa Ambasadorë të përhershëm të shteteve, në SHBA, ndër ta edhe me z. Vitaly Churkin, dhe me Peter Wittig Ambasador i përhershëm gjerman në Kombet e Bashkuara në New York, ku po ashtu temë e diskutimit ka qenë njohja dhe integrimi i Shtetit të Pavarur të Kosovës.
Në New York, Behgjet Pacolli ka pasur një takimi krejt të posaçëm me Sekretarin Gjeneral te Kombeve te Bashkuara, z. Ban Ki Moon, ku në një diskutim të gjatë, Pacolli ka informuar z. Ki Moon për sfidat që po kalon Kosova në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik dhe funksional. z. Pacolli ka nënvizuar edhe pengesat që ka Kosova në rrugën e integrimit, veçanërisht, nga mosnjohja e 5 vendeve të Bashkimit Evropian.
Sekretari Gjeneral, Ban Ki Moon, në këtë takim, kishte shprehur interesim të veçantë për zhvillimin ekonomik në Kosovë, marrëdhëniet ndëretnike, për kthimin e te larguarve nga Kosova, dhe me theks të veçante për qeshjen e integrimit të Mitrovicës.
Presidenti i AKR-së, z. Behgjet Pacolli, në kuadër të diskutimit për çështjen e Mitrovicës i ka prezantuar Sekretarit, Ban Ki Moon, idenë e tij për shpalljen e Kosovës së Veriut si Zone e Lire Ekonomike, duke përfshirë edhe Mitrovicën. z. Pacolli ka dhënë fakte se përmes zhvillimit ekonomik është më lehtë të tejkalohen dallimet dhe ndasitë ndëretnike. Ky propozim, kishte zgjuar vëmendjen të veçantë te Sekretari Gjeneral i OKB-së z. Ban Ki Moon, i cili kërkon përkushtim më të madh në drejtim të krijimit të mundësive për zhvillim dhe integrim ekonomik.
Pas këtyre takimeve tre ditore, z. Behgjet Pacolli, ka pasur në New York një darkë solemne me Sekretarin Gjeneral, Ban Ki Moon, me Diplomatin e njohur Henry Kissinger dhe me personalitete të tjera të larta, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Administratës se Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama.
Takimet që ka zhvilluar Behgjet Pacolli, janë mbajtur në kuadër të konferencës vjetore të Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare, CSIS, Këshilltarë i përhershëm i së cilës, tash dy vite, është edhe Presidenti i AKR-së, Pacolli.
Përveç karakterit të lobimit dhe diskutime për rëndësinë e njohjes së Kosovës, nga vende që ende nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë, në këto takime është diskutuar edhe për mundësitë e zhvillimit sa më të shpejtë ekonomik të Evropës juglindore, për luftën kundër korrupsionit dhe për përgjegjësitë që duhet të marrin qeveritë e këtyre vendeve në zhvillimin e demokracisë së vet shteteve të tyre.
Presidenti i AKR-së është kthyer sot nga New York-u, përsëri në Londër dhe atje do të vazhdoj takime te tjera, me përfaqësues të lartë të shteteve, të cilat janë pjesë e kësaj agjende të lobimit që po zhvillon tani ai.